Të hënën janë arrestuar nëntë persona në Lipjan, ndaj të cilëve Prokurori i Shtetit ka kërkuar caktimin e masës së paraburgimit nën dyshimin “Keqpërdorim të pozitës zyrtare dhe mashtrim në prokurim publik”.
Sipas njoftimit bëhet e ditur se Prokurori i Shtetit ka paraqitur kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit në Gjykatën kompetente, ndaj nëntë personave.
“Ju njoftojmë se Prokurori i Shtetit ka paraqitur kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit në Gjykatën kompetente, ndaj 9 personave për shkak të veprave penale ‘Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar’, ‘Keqpërdorimi dhe mashtrimi në prokurim publik’ dhe ‘Mashtrimi’, sipas KPRK-së”, thuhet në njoftim.
Ndryshe, Policia e Kosovës të hënën ka arrestuar nëntë persona, të dyshuar se kanë kryer veprën penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit” dhe veprën penale të “Mashtrimit”.
Sipas Prokurorisë Themelore në Prishtinë, personat e arrestuar në cilësinë e personave zyrtarë, si anëtarë të Komisionit teknik kanë bërë pranimin e punimeve të stadiumit të futbollit në fshatin Magure – Komuna e Lipjanit, kinse janë kryer punimet sipas kontratës së fituar nga një kompani.