UBT News

Kërkohet lirimi i shtetasit kosovar të arrestuar në brezin kufitar nga policia serbe

Ministria e Punëve të Jashtme dhe e Diasporës e Kosovës, që nga pranimi i lajmit për arrestimin nga policia serbe të dy shtetasve kosovarë në fshatin Mirovc afër pikë-kalimit kufitar Merdare, është angazhuar në vazhdimësi për të marrë informacion në lidhje me këtë rast.

Përkundër kërkesave të vazhdueshme të bëra përmes Zyrës Ndërlidhëse të Kosovës në Beograd, pala serbe ka vonuar informacionin zyrtar.

MPJD përmes Zyrës Ndërlidhëse të Kosovës në Beograd ka ngritur shqetësimet dhe parashtruar ankesë tek Zyra e Bashkimit Europian në Serbi, në lidhje me vonesën në sqarimin e këtij rasti.

Kjo është edhe një dëshmi e radhës, që në raport me shtetin e Kosovës, Serbia nuk tregohet bashkëpunuese, në vazhdimësi bënë provokime dhe tregohet se në realitet nuk është e interesuar për dialog dhe fqinjësi të mirë. Në dialogun e Brukselit, janë vendosur kanale zyrtare të bashkëpunimit dhe komunikimit në mes të dy shteteve, përfshirë edhe ndihmën e ndërsjellë juridike, të cilat Serbia po i shkelë në kontinuitet. 

“MPJD siguron familjarët e shtetasve të arrestuar se është duke bërë gjithçka që ka në dispozicion për ta sqaruar rastin deri në fund, si dhe do të vazhdojë të kërkojë lirimin sa më të shpejtë të shtetasit Blerim Maqastena. Njëherësh, diplomatët e Zyrës Ndërlidhëse të Kosovës në Beograd mbesin në dispozicion të familjarëve të shtetasit Blerim Maqastena, deri në lirimin e plotë të tij”, thuhet mes tjerash në komunikatën e MPJD-së.

Në të njëjtën kohë, MPJD u bën thirrje shtetasve kosovar që të jenë vigjilent gjatë kalimit nëpër territorin e Serbisë i cili nuk ofron as siguri minimale fizike dhe juridike për ta, derisa sugjeron mundësisht evitimin e qarkullimit përmes këtij vendi.

Exit mobile version