Në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve është kërkuar të hetohen votat të cilat kanë ardhur nga jashtë vendit, për shkak të dyshimeve se në ato vota mund të ketë pasur manipulime.
Anëtari i PDK-së në KQZ, Arianit Elshani ka thënë se i ka parë disa nga fletëvotimet që po ruhen në Ministrinë e Transportit dhe sipas tij duket qartë se një numër me të madh i ka shkruar i njëjti person.
“Në zgjedhjet e shkurtit kemi fillua numërimin për votat nga jashtë mandej me kusht. Kjo me qëllimin e vetëm të kemi qartësi. Është mirë të na sqarojë sekretariati. Sa i përket çështjes me votat nga jashtë për tre komuna Mamushë, Junik dhe Dragash janë dukshëm më të vogla. Prandaj edhe sot isha në Ministri të transportit edhe i kam parë, duket qartë që disa nga këto fletëvotime të dhënat aty i ka plotësuar i njëjti person. Prandaj këto kërkojnë një hetim dhe të verifikohen në qoftë se këta persona janë regjistruar. Është mise e nevojshme që këto aplikime t’i nënshtrohen një verifikimi nga KQZ. Duhet të bëhet një hetim nga KQZ dhe të kemi një raport në bazë të qyteteve nga ku kanë ardhur ato”, deklaroi ai.
Po ashtu edhe Sami Kurteshi nga VV-ja, tha se është pro këtij propozimit.
“Prej tri komunave po na dalin në shumë. Një shumë aq e madhe e njerëzve konfirmojnë 0.3% që nuk kanë aplikuar janë për ti parë krejt votimi me post. Për shkak që ka hajna të votave. Prandaj jam për t’u ndjekur procesi që të verifikohen”, deklaroi Kurteshi.
Edhe Florian Dushi nga LDK tha se duhet që të ketë verifikim të këtyre votave.
“Konsideroj se sekretariati e din kohën e numërimit të votave, nuk kam problem edhe nëse shtyhet. Ne si institucion nuk është mirë të merremi me spekulime që mund ti gjejmë në media. Shqetësimet i kemi pasur që në periudhën e regjistrimit të votuesve. Jam pro asaj që sekretariati të zhvilloj krejt çfarë duhet në kuptimin e hetimit dhe konfirmimit të atyre zarfeve që kanë ardhur nga jashtë”, deklaroi ai.
Kryeshefi Ekzekutiv i Sekretarit të KQZ-së, Burim Ahmetaj ka thënë se në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve është pranuar i gjithë materiali i ndjeshëm nga të gjitha komunat. Ahmetaj tutje tha numërimi i votave me kusht do të marrë kohë.
“Votat me kusht na merr kohë, ndoshta pas dy ditëve do të mund të fillojmë me numërimin e tyre sepse na duhet mi regjistrua të gjithë votuesit e rregullt, pastaj votuesit me kusht dhe t’i bëjmë krahasimet e të gjithë votuesve të rregullt, me kusht dhe me postë në mënyrë që të kemi konfirmimin pastaj se cilët votues me kusht do të numërohet vota e tyre”, tha Ahmetaj.
Kryetari i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Kreshnik Radoniqi në koordinim me anëtarët e KQZ-së propozoi të lejohen vëzhguesit t’i shohin zarfet të shërbimi votues dhe e la të vendos sekretariati.
Ndërsa anëtari i KQZ-së nga LDK-ja, Florian Dushi, tha se si institucion nuk munden të shpikin procedura të reja.
“Na nuk mundemi me shpik procedura të reja. Procesi duhet mu zhvillu konform këtyre rregullave. Nuk mundemi me prit që sekretariati me bo raport atë çfarë nuk parashihet me procedura tona. Ky proces ka qenë i hapur për vëzhgues”, tha ai.
Ndërsa Arianit Elshani nga PDK-ja kërkoi që raporti të dorëzohet sonte në mbrëmje.
Tutje u bë edhe zëvendësimi i kandidatëve për Kuvende Komunale të cilët kanë dhënë dorëheqje për arsye të ndryshme.
“Këshilli për çështje ligjore ka diskutuar rreth tërheqjes së disa kandidatëve. Meqë jemi të certifikimi këshilli për çështje ligjore ka shqyrtuar kërkesën për dorëheqjen e disa kandidatëve, prandaj kemi pranuar tërheqje detyre dhe kemi bërë zëvendësimin e tyre”, tha Dushi.
Imri Ahmeti zëvendësohet me Armend Grajqevcin, Valon Ramadani me Arbnor Murselin, Eliza Hoxha zëvendësohet me Dheik Beqirin, Bekë Berisha zëvendësohet me Behgjet Ramën.