Komisioni për Shëndetësi i ka rekomanduar Ministrisë së Shëndetësisë që të hartojë një ligj të ri për Shëndetin Mendor.
Gjatë shqyrtimit të raportit me rekomandime për mbikëqyrjen e zbatimit të këtij ligji, u tha se ende nuk është hartuar plani strategjik i shëndetit mendor.
Ani pse është e paraparë me ligj, në emër të komisionit Burim Meta tha se nuk ka institucion përkatës dhe të veçantë për trajtimin e sëmundjeve të varësisë.
Kuvendi i Kosovës me 62 vota për, asnjë kundër dhe asnjë abstenim e ka miratuar këtë raport.
Meta në seancë plenare tha se informatat për zbatimin e këtij ligji janë marrë nga spitalet dhe qendrat e shëndetit mendor. Deputeti Burim Meta tha se qëllimi i mbikëqyrjes së zbatimit të Ligjit për Shëndetin Mendor është të vlerësohet si dhe të konstatohet niveli i zbatueshmërisë së tij në praktikë.
Më tej, theksoi se nuk ekziston as klinikë e veçantë për hospitalizimin dhe trajtimin e mirëfilltë të fëmijëve me sëmundje psikiatrike.
“Paramendoni kolegë deputetë, që ky ligj është funksional nga viti 2015 është thënë që për mbi 11 ligje të nxirren aktet nënligjore dhe deri më tani është nxjerrë vetëm një. Ende nuk është hartuar plani strategjik i shëndetit mendor. Departamenti i Shëndetit Mendor në kuadër të Ministrisë së Shëndetësisë nuk ka qenë funksional. Këshilli profesional i shëndetit mendor nuk është formuar. Haset në shumë probleme të zbatimit i neneve për trajtimin e pavullnetshëm të personave me probleme dhe çrregullime mendore. Nuk ka institucion përkatës dhe të veçantë për trajtimin e sëmundjeve të varësisë, siç parashihet me ligj”, ka njoftuar ai.
Më tej, ai tha se nuk është aprovuar asnjë udhërrëfyes klinik dhe nuk ka asnjë standard të miratuar rreth kufizimit fizik të personave me çrregullime mendore, teksa i kënaqshëm nuk është as furnizimi me barna.
“Ligji nuk ka nene të veçanta për trajtimin e fëmijëve me probleme të shëndetit mendor. Ligji nuk parasheh rregullimin e statusit të Institutit të Psikiatrisë Forenzike. Hapësirat nuk janë të ndara sipas gjinisë dhe moshës. Nuk bëhet monitorimi i personave pas lirimit nga Institutit të Psikiatrisë Forenzike. Me Ligjin për Shëndetin Mendor nuk është paraparë as funksionimi i qendrave të shëndetit mendor me bazë në komunitet, edhe pse ato funksionojnë që 18 vjet”, ka thënë Meta.
Ai ka shtuar se pandemia COVID-19 ka përkeqësuar gjendjen e shëndetit mendor të popullatës dhe ka rritur numrin e personave me çrregullime të shëndetit, ndërkohë që nuk ka pasur hapa konkretë për ofrimin e shërbimeve në këtë fushë. Bazuar në këto të gjetura, Komisioni për Shëndetësi ka propozuar 12 rekomandime.
“Ministria e Shëndetësisë të hartojë një Ligj të ri për Shëndetin Mendor, ligj të integruar të avancuar dhe me kompetenca të qarta për institucionet zbatuese. Të hartohen të gjitha aktet nënligjore me kohë, siç parashihen me ligj”, ka rekomanduar ai.
Për hartimin e ligjit të ri për Shëndetin Mendor janë pajtuar edhe partitë opozitare.
Kuvendi i Kosovës, në seancën e sotme plenare ka emëruar për kryesuese të Komisionit të Auditimit të KOSTT-it, Liza Markun, ndërkaq për anëtarë Arben Dodaj dhe Sead Mujovi./Sh.Pajaziti