UBT News

​Kërkohet bashkim kundër dhunës seksuale

Është e rëndësishme që të angazhohemi në parandalimin e veprimeve të cilat cenojnë autonominë e trupit dhe ku gratë konsiderohen si objekt i partnerëve të tyre apo kujtdo tjetër. Kështu ka thënë ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu në konferencën “Vetëm Po, nënkupton Po”, në përgjigje të SDG 5, të organizuar nga Këshilli për Zhvillim të Qëndrueshëm në Kuvendin e Kosovës.

Konferenca e cila kishte për qëllim të trajtojë harmonizimin e legjislacionit vendor me Konventën e Stambollit në raport me dhunën seksuale, nisi me ministren e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, e cila përmendi disa nga verimet që kanë ndërmarrë kundër dhunës, duke thënë se Qeveria për herë të parë i ka dhënë prioritet adresimit të dhunës në familje dhe dhunës me bazë gjinore, për dallim nga e kaluara që ajo është konsideruar si diçka private. Ajo përmendi edhe ndryshimet në kodin penal, duke thënë se personat që shkaktojnë dhunë u ndalohet të punësohen në institucione publike

“Është e rëndësishme që të angazhohemi si institucione që të ndalojmë veprimet e tilla ku cenohet autonomia e trupit dhe ku gratë konsiderohen si objekt i partnerëve të tyre apo kujtdo tjetër sepse kemi pasur raste së fundmi ku persona të panjohur kanë kryer dhunime seksuale dhe shqetësimi është sidomos ndaj vajzave të mitura. Natyrisht që dhunimi seksual është vepër penale dhe duhet të dënohet në maksimum që parasheh Kodi Penal por kjo rëndohet sidomos kur kemi raste të vajzave të mitura. Po ashtu, kemi ndërmarrë veprime që ndërlidhen me kompensimin e viktimave të krimit me ndihmën juridike falas”, tha ajo duke shtuar se kanë nis zbatimine masës për punësimin e viktimave në familje, por kanë marrë veprime edhe për mbikëqyrjen elektronike të dhunuesve”, tha ajo.

Mija Jovornik nga Akademia për Zhvillim Demokratik, tha se tregoi fokusin e programit të tyre, duke thënë se duhet të gjithë të bashkohen pasi gratë në të gjithë rajonin, Evropën dhe në mbarë botën, po përdhunohen dhe ngacmohen.

“Të thuash dhe të tregosh PO janë mënyrat e vetme për të marrë pëlqimin dhe programi ynë është i fokusuar në efekt me këtë, në ndryshimet e legjislacionit që do të çonin në parandalim dhe ndërgjegjësim, por edhe më shumë ai fokusohet në ndërtimin e koalicioneve ndërpartiake, ndërvendore edhe një herë për t’i bërë zgjidhjet tona të qëndrueshme. Nëse vërtet duam të arrijmë qëllimin tonë dhe të kemi sukses, sigurisht me ndryshime legjislacionesh, por jo vetëm kaq, të paktën me ndryshime fillestare në mendësitë kulturore, e dinim se duhej të fillonim disi të ndryshonim narrativën. Dhe për të filluar ndryshimin e narratives, na duhen të gjithë akterët e mundshëm në bord, siç e dini, ne kemi nevojë për motivimin tonë të përbashkët dhe natyrisht na duhet edhe kohë”, tha ajo.

Sonja Lokar, eksperte e çështjeve gjinore tha se suksesi arrihet vetëm në fushat ku bashkohen të gjithë partitë politike, OJQ, qeveri dhe Kuvend.

“Ne nuk luftojmë me të njëjtën fuqi për paga të barabarta për gratë, për pensione të barabarta për gratë, nuk kemi sukses në mbrojtjen shëndetësore të grave, nuk kemi sukses në kujdesin e fëmijëve që na duhet kaq shumë. Pra, kemi ende shumë për të bërë, por unë vërtet besoj në ne. Unë besoj se gratë janë mjaft të zgjuara, të organizuara mjaftueshëm për të ardhur hap pas hapi nga këto hapa të vogla për të arritur në një botë ndryshe, në një botë tjetër. Ne absolutisht mund ta bëjmë atë së bashku dhe kjo është ajo që unë do të vendosja absolutisht në zemrat tuaja sot. Gjeni gjërat që ju bashkojnë, ka kaq shumë gjëra që mund të na bashkojnë”, thuhet në njoftim.

Exit mobile version