UBT News

Kërkohet anulimi i konkursit për kryeshefin ekzekutiv të “Trepçës”

Konsorciumi i organizatave të shoqërisë civile i përbërë nga Grupi për Studime Juridike dhe Politike (GLPS), Instituti GAP dhe Instituti për Politika Zhvillimore (INDEP), në kuadër të projektit: “Mbështetje për Shoqërinë Civile për të Rritur Mbikëqyrjen Publike dhe Llogaridhënien e Institucioneve Publike të Kosovës”, shpreh shqetësimin e thellë lidhur me konkursin për pozitën Kryeshef Ekzekutiv në Trepça Sh.A dhe kërkon anulimin e këtij konkursi.

Përmes një reagimi publik, CorrWatch apelon të anulohet procesi rekrutues për kryeshef ekzekutiv në “Trepça” për shkak të paligjshmërisë.

CorrWatch konsideron që kërkesat e përgjithshme të paraqitura në konkurs janë në kundërshtim me Ligjin për Ndërmarrjet Publike.

Në komunikatë thuhet se CorrWatch konsideron se kërkesa për dokumentin “Certifikatën (dëshminë) nga gjykata kompetente që dëshmon se nuk është nën hetime jo më të vjetër se gjashtë muaj” është në kundërshtim me këtë ligj duke qenë se ligji përcakton që kandidati do të duhet të mos jetë i dënuar nga një gjykatë kompentente. Pra, do të duhej të kërkohej dokumenti që e vërteton këtë gjë dhe jo dëshmia që nuk është nën hetime.

“Në kriteret e kualifikimit, nuk është cekur niveli i shkollimit, vetëm fusha/drejtimi i kërkuar. Në të njëjtën kohë, kërkesa për ndërlidhje mes veprimtarisë biznesore të ndërmarrjes me drejtimet duhet të specifikohet pasi kjo lë hapësirë për interpretim të gjerë gjatë vlerësimit të kandidatëve. Te pjesa ku është cekur se “preferohet kandidatët me përvojë pune në ndërmarrjet/korporatat tjera të mëdha dhe me kompleksitet të lartë”, një kriter i tillë nuk është theksuar se si mund të vlerësohet, e përderisa nuk është kriter obligativ është dashur të ketë sqarime shtesë për vlerësimin e këtij kriteri”, thuhet në reagim.

Në të njëjtën kohë, CorrWatch ka identifikuar se te kriteri lidhur me përvojën e punës, është bërë vetëm referimi në nenin 17 të Ligjit për Ndërmarrjet Publike por jo edhe zbërthimi i këtij neni në aspektin e kritereve që duhet të plotësohet nga kandidatët. Aq më tepër, kur ky nen bën referencë te një nen tjetër (neni 21) e që mund të shkaktojë huti te kandidatët.

Sipas njoftimit, të njëjtat shqetësime janë ndarë me menaxhmentin e Trepça Sh.A, por që nuk janë adresuar. Përmes këtij reagimi, CorrWatch kërkon që ndërmarrja të anulojë konkursin për shkak të shkeljeve ligjore si dhe i njëjtit të rishpallet në bazë të kritereve të përcaktuara me legjislacionin në fuqi të cilat garantojnë proces transparencë dhe të bazuar në meritokraci.

Exit mobile version