Agjencia e Bashkimit Evropian për Azilin (EUAA) ka njoftuar se kërkesat për azil në vendet e BE+ kanë rënë në nivelin më të ulët për gjysmën e parë të vitit që nga viti 2021.
Gjatë gjashtë muajve të parë të vitit 2026, në vendet e BE+ janë paraqitur rreth 332 mijë kërkesa për mbrojtje ndërkombëtare, 17 për qind më pak krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.
BE+ përfshin 27 shtetet anëtare të Bashkimit Evropian, si dhe Norvegjinë dhe Zvicrën.
Sipas EUAA-së, rënia e kërkesave, e cila ka vazhduar që nga fundi i vitit 2024, lidhet me ndryshimet në kombësitë e azilkërkuesve, zhvillimet politike në Siri, si dhe bashkëpunimin e BE-së me vendet e origjinës dhe tranzitit.
Agjencia ka bërë të ditur se përshkallëzimi i armiqësive në Lindjen e Mesme nuk ka sjellë rritje të kërkesave për azil në BE+.
Afganët kanë paraqitur numrin më të madh të kërkesave, rreth 39 mijë, që paraqet një rënie prej 7 për qind krahasuar me një vit më parë. Kërkesat nga shtetasit venezuelas ranë me gati një të tretën, në rreth 33 mijë, ndërsa 93 për qind e tyre u paraqitën në Spanjë.
Në anën tjetër, kërkesat nga shtetasit e Bangladeshit u rritën me 13 për qind, duke arritur në rreth 20 mijë.
Franca ka pranuar numrin më të madh të kërkesave, me rreth 69 mijë, e ndjekur nga Italia me 66 mijë. Spanja dhe Gjermania kanë regjistruar nga 55 mijë kërkesa secila. Së bashku, këto katër shtete kanë pranuar rreth tri të katërtat e të gjitha kërkesave në BE+.
Greqia ka regjistruar numrin më të lartë të kërkesave në raport me popullsinë, me rreth 23 mijë kërkesa, ose afërsisht një kërkesë për çdo 400 banorë.
Ndërkohë, shkalla e njohjes së kërkesave në BE+ ishte 31 për qind. Kjo nënkupton se më pak se një e treta e vendimeve të shkallës së parë rezultuan me dhënien e mbrojtjes ndërkombëtare për aplikantët.
Rreth 56 për qind e kërkesave u paraqitën nga shtetas të vendeve që, sipas rregullave të reja të BE-së për azilin, mund t’i nënshtrohen procedurave kufitare ose të përshpejtuara për shkak të shkallës së ulët të njohjes ose përcaktimit të vendeve të tyre si të sigurta të origjinës./A.K/
