Qeveria e Kosovës i ka dërguar një kërkesë dy pronarëve të “LDA Group” Sh.P.K, që t’ia kthejnë dy milionë euro Thesarit të Shtetit.
Thesari i Shtetit ka sqaruar se shkresa protokollare që është dërguar si kërkesë për kthim të mjeteve, është procedurë standarde e paraparë në nenin 12, paragrafit 12 të ligjit e buxhetit, i cili thotë se në rast se një individ, zyrtar, person apo një entitet pranon ndonjë pagesë nga Fondi i Kosovës si rrjedhim i gabimit, ngatërrimit apo lëshimit, ato fonde i kthehen Fondit të Kosovës në afat prej pesë (5) ditësh nga pranimi i njoftimit me shkrim.
“Pavarësisht nga shkaku dhe rrethanat e ndodhjes, ky është një transaksion i paautorizuar, përkatësisht dalje e paaprovuar e parasë publike dhe pa asnjë paragjykim mbi procesin, çdoherë kërkohet kthimi i tyre me një shkresë të tillë. Në këtë shkresë është bërë me dije se proceset hetimore janë nisur dhe rasti është njoftuar organeve, por kjo shkresë duhej të ishte dërguar në aspektin procedural dhe ligjor.Letra është dërguar direkt në adresën e deklaruar në ARBK nga operatori ekonomik i dyshuar për krejt këtë, ndaj edhe në atë adresë është dërguar.”, thuhet në sqarimin e Thesarit të Shtetit./UBTNews