Një muaj paraburgim i është caktuar të dyshuarit për kanosjen e njërit prej prokurorëve në Prokurorinë Themelore të Prishtinës.
Vendimi për të dyshuarin është marrë sot nga Gjykata Themelore e Prishtinës.
“Gjyqtari i procedurës paraprake ka aprovuar si të bazuar kërkesën e Prokurorisë Themelore në Prishtinë, për caktimin e masës së paraburgimit kundër të pandehurit M.L dhe të njëjtit i është caktuar masa e paraburgimit në kohëzgjatje prej një (1) muaji, pasi ekziston dyshimi i bazuar se me datë 04.07.2024 në objektin e Prokurorisë Themelore në Prishtinë është kanosur një Prokuror i Shtetit”, thuhet në njoftimin e gjykatës.
Për rastin kishte njoftuar edhe Policia e Kosovës.
Sipas Policisë, i dyshuari kishte shkuar në zyrën e prokurorit i veshur me antiplumb.
Kurse, nga Prokuroria Themelore e Prishtinës e patën konfirmuar për KosovasPress, se ishte bërë kërkesë për paraburgim.
“Lidhur me këtë rast, ju njoftojmë se Prokurori i Shtetit ka lëshuar aktvendim mbi ndalimin e personit të dyshuar, për shkak të veprës penale “Kanosja” (ndaj personit zyrtar), si dhe për të njëjtin, në Gjykatën Themelore në Prishtinë, ka paraqitur kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit”, kishte thënë zëdhënësja e Prokurorisë, Laureta Ulaj.
Kundër aktvendimit, të Themelores palët e pakënaqura kanë të drejtë ankese në Gjykatën e Apelit, përmes Gjykatës Themelore në Prishtinë.