Gënjeshtra e të turpshme i ka quajtur njohësi i çështjeve të sigurisë Agim Musliu, deklaratat e sotme të Ivica Daçiqit dhe Marko Gjuriqit se “një shqiptar me prejardhje nga Kosova ka kërcënuar ambasadat serbe”.
Musliu përmes një shkrimi në “X” ka thënë se për fabrikimin e një historie të tillë të rrejshme, ministrat serbë, i Punëve të Brendshme dhe ai i Punëve të Jashtme, kanë arritur në një nivel të ri të propagandës, duke përdorur një të ri shqiptar me aftësi të kufizuara.
“#Serbia ka arritur një nivel të ri me #propagandën e saj! Të shfrytëzosh një të ri me nevoja të veçanta për të #fabrikuar një histori të rreme është e turpshme. Ivica #Daçiq dhe @markodjuric kanë pohuar rrejshëm se një 26-vjeçar nga #Kosova, me banim në #Zvicër me 90% aftësi të kufizuar, kërcënoi ambasadat serbe. Në realitet, Denisi nuk flet dhe vuan nga autizmi i rëndë”, ka shkruar ai.
Duke parashtruar pyetjen se deri ku do të shkojë Serbia duke përdorur njerëz të pafajshëm për agjendën e vet, Musliu ka pyetur edhe nëse Daçiq dhe Gjuriq po mundohen kësisoj të fshehin shkakun kryesor të vdekjes së Aleksandar Grbovic.
“Apo synoni të fshihni shkakun kryesor të vdekjes së Aleksandar Grbovic, “miku” i @avucic dhe #Radoicic?”, ka shtuar ai.
Ndryshe, ministri serb, Ivica Daciq ka pretenduar të martën se një shqiptar që jeton në Zvicër ka kërcënuar ambasadat serbe në Evropë.
“Në lidhje me mesazhet kërcënuese të marra përmes postës elektronike nga Aeroporti i Beogradit, ambasadat dhe konsullatat tona në Austri dhe Gjermani, dhe Qendra e Beogradit për Politikat e Sigurisë, Ministria e Punëve të Brendshme mori informacion zyrtar nga Gjermania dhe Zvicra se bëhet fjalë për Denis Krasniqin, 26-vjeçar nga Zvicra, prindërit e të cilit janë nga Kosova”, ka thënë Daçiq, porse për këtë nuk është deklaruar askush nga vendet përkatëse evropiane.