UBT News

Kërcënimet hibride dhe mbrojtja kundër-hibride

(Lufta hibride është një dimension i ri asimetri shumë komplekse, është një lloj tjetër i luftës klasike, është detyra e agresionit përmes “ushtarit virtual” në epokën hibride)

Shkruan: Prof. Dr. Bahri Gashi

Rritja e vëmendshmërisë shtetërore, përmbushja e aspektit strukturor karshi sfidave që paraqet lufta hibride, përbënë vendosshmërinë e shtetit për të ofruar siguri dhe mbrojtje kundër-hibride.

Hapësira kibernetike e rajonit e posaçërisht e dy shteteve, Kosovës dhe Shqipërisë, po përballet me cenueshmëri të vazhdueshme të sistemeve nga hakime, sulme dhe inkriminime në hapësirën kibernetike, duke e atakuar seriozisht infrastrukturën kritike nga sulmet e jashtme invazive përmes krimeve kibernetike.

Shtete të caktuara të Ballkanit Perëndimor ishin dhe mbetën ende cak nga seri sinkronizuese të sulmeve kibernetike kohëve të fundit, që përfshinin Maqedoninë e Veriut, Republikën e Kosovës edhe sidomos target ishte Shqipëria, shtete këto të etniteteve shqiptare me orientim euroatlantik. Goditjet kishin shkaktuar një situatë kritike, pasiguri kaotike përmes sulmeve kibernetike, drejt tentimit të paralizimit të sistemeve publike, duke ndërhyrë në sistemin e hapësirës kibernetike shqiptare.

Shqipëria duke qenë pjesë e mbrojtjes kolektive nga NATO-ja, cenimi i hapësirës kibernetike shqiptare, përbën hapur shqetësim real në përpjekjet e një lufte hibride drejt perëndimit, përmes aleatëve tradicional në Ballkanin Perëndimor.

Republika e Kosovës, në këtë këndvështrim me urgjencë duhet të dinamizojë ende kapacitetet infrastrukturore në tërësinë e tyre, në realizimin e këtyre objektivave strategjike nacionale për të ofruar dhe garantuar mbrojtje dhe siguri nga kërcënimet e luftës hibride.

Pas disa viteve të mosmiratimit, përballë këtyre kërcënimeve, së fundmi është miratuar edhe Strategjia e Sigurisë së Republikës së Kosovës, dokumenti më vital (më i larti) strategjik i sigurisë, derivat nga rrjedh i gjithë ndërveprimi instititucional i sigurisë, mbrojtjes dhe inteligjencës. Pa u lëshuar në mangësitë strukturore të prioriteteve, pjesët vitale organike, në disa raste jo mjaftueshëm të sintetizuara për trajtimin e situatave, sidomos të atyre të karakterit kritik, përmbajtësisht vërehen lëshimet evidente, përkundrazi, dokumenti i (SSRS) si i tillë ofron vlefshmëri dhe ligjshmëri kushtetuese, obliguese dhe operacionale të bashkëpunimit brenda institucioneve të sigurisë dhe partnerëve strategjik ndërkombëtar.

Përballja me sfidat kritike të sigurisë, luftës hibride dhe kërcënimve kibernetike, metodave dhe mjeteve të shpërfaqura është një dimension i ri dhe shumë kompleks, është një lloj tjetër i luftës klasike, me mjete tejkonvencionale, është ai “ushtari virtual” që vepron armiqësisht në epokën tonë hibride.

Metodat e kërcënimeve hibride janë të shumëllojshme, disa janë forma të njohura e disa sosh, krejtësisht të panjohura. Të mistershme në planifikim, të befasishme në ekzekutim dhe me dëme të rënda në atakim.

Sot po përballemi në përditshmëri me një tipologji sinkronizimesh të sulmeve kibernetike, që po atakojnë një segment të tërë të jetës tonë me qëllim të cenimit të infrastrukturës shetërore, duke tentuar të paralizojnë së funksionuari një sërë asetesh shtetërore me ndikim të madh në jetën publike.

Kosova së fundmi i ka dhënë dritë të gjelbër themelimit të Agjensisë për Mbrojtje Kibernetike, sikurse me një vonesë të stërzgjatur po ashtu edhe Agjensisë për Mbrojtjen e Infirmacionit të Klasifikuar, duke i dhënë drejtim ligjor krijimit të kapaciteteve dhe aftësive mbrojtëse kundër luftës Hibride dhe neutralizimit të përditshmërisë nga sulmet kibernetike. 

Me gjithë këtë angazhim shtetëror që ka bërë Kosova dhe Shqipëria si dy shtete ndarazi, përpjekjet duhet të vazhdojnë drejt unifikimit të krijimit të Hapësirës Unike të Mbrojtjes Kibernetike, unifikimit ushtarak dhe krijimit të Qendrës Kombëtare të Ekselencës, që do të përfshinte:

  • Zyrën për Koordinim të Mbrojtjes Kibernetiike;
  • Zyrën për Inteligjencë dhe KundërInteligjencë
  • Zyrën për Zbulime Hapësinore, sektor këta të përbashkët Kosovë – Shqipëri në kuadër tē (QKE) -së

Garancionet e mirëqeverisjes adekuate të këtyre sektorëve të sigurisë kombëtare, do të rregullohej nga pjesa profesionale të specialistëve të Inteligjencës, mbrojtjes, sigurisë kibernetike, profesorëve të fushave specifike, rrjedhimisht, infrastruktura kritike kombëtare si nevojë jetike për qytetarët, do të duhet të rriste ambiciet politike që seriozitetin e dy shteteteve ta konsolidojmë në këto dimensione kombëtare të lartpërmendura, si domosdoshmëri e unifikimit.

Përfundimisht, Mbrojtja dhe Siguria Kundër-Hibride është aspekti më thelbësor, prioriteti parësor i vigjilencës, përgatitjes dhe gadishmërisë së shtetit për masa rigoroze të përballjes në çdo kohë dhe moment për të pëmbushë kapacitetet mbrojtëse teknologjike. Duke iu garantuar qytetarëve siguri të të dhënave personale, paprekshmëri të aseteve sensitive shtetërore për më shumë mbrojtje dhe siguri, përmbushet deyrimi kombëtar dhe ai kushtetues i shtetit ndaj shtetasit.

Shënim:

(Autori është doktor shkence, profesor në Fakultetin për Studime të Sigurisë në UBT, i profilizuar dhe njohës i Politikave të Sigurisë Kombëtare dhe Inteligjencës)

Exit mobile version