Nënkryetari i AAK’së, Ardian Gjini pas mbledhjes në parti ka thënë se sot nuk kanë diskutuar për mundësinë e daljes nga koalicioni me LDK’në e Nismën, raporton Gazeta Express.
Gjini thotë se e vetmja pikë që i ndanë me partinë e Isa Mustafës është dialogu, e se thotë se këtë do ta shqyrtojnë edhe njëherë në parti.
“Ne si Aleancë i përshëndesim të arriturat që i kemi para vetes pas marrëveshjes në Shtëpinë e Bardhë dhe falënderojmë për arritjen në këtë pikë. Ne mendojmë që dialogun si proces ta shohim edhe njëherë disa detaje do të insistojmë që të shihen edhe njëherë. Kemi kërkuar që të arrihet më shumë në dialog, e kemi ditë si pikë do të jetë njohja e ndërsjellë, pikë e cila është hjekë, ne mendojmë që duhet të jetë kjo pikë sepse është qenësore”, thotë ai, duke shtuar se Kosova në këtë proces duhet të jetë më e përgatitur.
“Ne dhe kryetari i Haradinaj mendojmë se duhet ta shohim procesin e dialogut, jemi të bindur se do të kemi edhe faza të tjera dhe Kosova duhet të jetë më përgatitur.
E vetmja pikë që është diskutuar dhe është diskutabile në koalicion me LDK’në është dialogu, pika tjerat nuk munden me shkaktu problem.
Do të ketë raund tjetër në Bruksel, dje ka qenë takim i formatit tjetër, nuk kemi diskutu për dalje, edhe pse ka pas deputet e anëtarë që kanë deklaru se mund të ketë veprime të tilla, po sot nuk kemi diskutu. Nëse ka diçka që shkakton problem edhe procesi i dialogut”, ka shtuar ai.
Gjini ka kërkuar që serioziteti në dialog të jetë maksimal, pasi që shton se pasojat për Kosovën mund të jenë fatale.
“Serioziteti duhet të jetë maksimal, pavarësisht të qenit në qeveri me shumë seriozitet do ta kishim marrë këtë proces sepse mund të sjellin dëme të pariparueshme ose nëse jemi serioz suksese për Kosovën. Dialogu dhe procesi i dialogut janë pika më e ndishme në këtë fazë, nëse ne do të kuptojmë që ka problem në këtë fazë me siguri do të mblidhemi”, shton ai.
Numri dy në AAK ka treguar para gazetarëve edhe prapavijën e diskutimit Hoti – Haradinaj – Mustafa dhe përplasjen që kanë pasur për pikën ku flitej për Ujmanin.
“Gjatë komunikimit të kryeministrit Hoti dhe ministrit Selimi me kryetarin Haradinaj unë kam qenë në tavolinë me të, ai ka treguar se nëse Serbia mbetet palë me Ujmanin atëherë do të largohen AAK’ja menjëherë nga Qeveria duke thënë se nuk do të mund të kenë marrëveshje tripalëshe. Kryeministri Mustafa ka qenë në komunikim, e di që edhe ai e ka nda të njëjtin mendim, është dashtë me shku deri në atë fazë me tregu që kjo pikë nuk mund të mbetet ashtu si është”, ka thënë Gjini./GazetaExpress