Menaxhimi i nivelit të lartë të sheqerit në gjak është thelbësor për personat me diabet dhe ndonjëherë edhe disa ushqime të shëndetshme mund të ndikojnë negativisht.
Diabeti i Tipit 2 është forma më e zakonshme, lidhet me mbipeshën, mungesën e aktivitetit fizik apo faktorët gjenetikë.
Sipas institucioneve të shëndetësisë në Britani, rreth 1 në 10 persona mbi 40 vjeç atje vuajnë nga kjo gjendje.
Nëse nuk menaxhohet siç duhet, diabeti çon në komplikime serioze si sulmi në tru, sëmundjet e zemrës e dëmtimet e organeve
Për këtë arsye, njohja e ushqimeve që rrisin sheqerin në gjak është jetike. Ja disa prej tyre që duhen shmangur ose konsumuar me shumë kujdes:
Rrushi
Edhe pse i pasur me antioksidantë, një kokërr rrushi përmban rreth 1 gram karbohidrate. Sasia duket e vogël, por nëse hani një grusht, karbohidratet e sheqeri shtohen. Mjekët kanë këshilluar ta konsumoni në sasi të vogla dhe ta krahasoni me burime të tjera frutash që kanë më pak ndikim në glukozë.
Supat e gatshme
Shumë lloje të supave të gatshme kanë karbohidrate të rafinuara dhe shumë natrium, që mund të ndikojnë negativisht në sheqerin në gjak dhe tensionin e lartë. Mjekët këshillojnë që ato të zëvendësohen me supë me perime të freskëta dhe makarona integrale.
Patatet
Të ziera apo të skuqura, patatet kanë indeks të lartë glikemik, përthithen shpejt dhe rrisin nivelin e sheqerit në gjak. Mjekët këshillojnë që ato të zëvendësohen me patate të ëmbla, të cilat e kanë më të ulët indeksin glikemik dhe përmbajnë më shumë fibra.
Sushi
Ndonëse përmban peshk të shëndetshëm, orizi i bardhë në sushi është i përpunuar e rrit menjëherë nivelin e sheqerit në gjak. Mjekët këshillojnë që të konsumoni sasi të vogla ose provoni sushi me oriz integral.
Frutat e thata
Vetëm një lugë gjelle me rrush të thatë ka 20 gramë karbohidrate dhe sheqer total. Përqendrimi i sheqerit rritet shumë pas tharjes. Mjekët këshillojnë që ta zëvendësoni me fruta të freskëta si mollë apo dardhë në copa të vogla.
Lëngjet e frutave
Edhe pa sheqer të shtuar, një gotë me lëng portokalli përmban aq sheqer sa një pije e gazuar. Mjekët këshillojnë që të zëvendësohen me fruta të freskëta ose ujë me limon dhe mente për freski natyrale.
Drithërat e përpunuara të mëngjesit (cereal)
Shumë marka të drithërave të përpunuara kanë sheqer të fshehur. Ato treten e rrisin sheqerin në gjak menjëherë. Zgjidhja më e mirë është konsumimi i tërshërës së papërpunuar ose drithërave pa sheqer, të kombinuara me fara chia dhe fruta mali.