Nick Carter i Backstreet Boys u akuzua më 8 dhjetor për përdhunimin e një vajze të mitur autike në një autobus në vitin 2001, gjatë turneut të koncerteve ndërkombëtare të grupit të tij muzikor.
Padia është ngritur nga Shannon “Shay” Ruth, viktima e supozuar e cila mbajti një konferencë për shtyp. Ajo shpërtheu emocionalisht dhe zbuloi me lot se kur ishte vetëm 17 vjeçe, Carter e kishte sulmuar seksualisht.
“21 vitet e fundit kanë qenë të mbushura me dhimbje, konfuzion, zhgënjim, turp dhe vetëlëndim që janë rezultat i drejtpërdrejtë i përdhunimit të Nick Carter”, pretendoi viktima, e cila tani është 39 vjeç. “Edhe pse jam autike dhe jetoj me paralizë cerebrale, besoj se asgjë nuk më ka ndikuar më shumë apo ka pasur një ndikim më të qëndrueshëm në jetën time sesa ajo që bëri dhe më tha Nick Carter”.
Sipas saj, Carter e mori atë nga një radhë fansash në Tacoma Dome në Uashington natën e incidentit dhe e ftoi atë të bashkohej me të në autobusin e tij turistik.
Viktima e ka përshkruar ngjarjen në padi. Ajo tha se ai e çoi në një shtrat përpara se t’i hiqte me forcë pantallonat.
Ajo gjithashtu shtoi se Carter u përpoq ta kërcënonte atë kur tha se do të raportonte incidentin. “Carter u përpoq të më trembte në heshtje”, tha ajo, duke thënë se ai i tha asaj se “ai do t’i kthente njerëzit kundër meje sepse ai ishte Nick Carter dhe kishte fuqinë të shkatërronte jetën time”./UBTNews/