Këngëtari amerikan D4vd, emri i plotë i të cilit është David Anthony Burke, është arrestuar nga autoritetet në Los Angeles nën dyshimin për përfshirje në vrasjen e një vajze 14-vjeçare, e raportuar e zhdukur vitin e kaluar.
Sipas policisë, bëhet fjalë për rastin e Celeste Rivas Hernandez, mbetjet mortore të së cilës u zbuluan në shtator 2025 brenda një automjeti të tipit Tesla, i lidhur me një pronë që lidhej me artistin.
Autoritetet kanë bërë të ditur se 21-vjeçari po mbahet në paraburgim pa të drejtë lirimi me kusht, ndërsa çështja pritet t’i paraqitet Prokurorisë në ditët në vijim.
Hetimet nisën më 8 shtator 2025, kur në një parking për automjete të tërhequra në zonën e Hollywood-it u raportua një erë e rëndë që vinte nga një veturë. Brenda saj, hetuesit zbuluan mbetje trupore në gjendje të avancuar dekompozimi.
Sipas dokumenteve gjyqësore, trupi ishte i vendosur në bagazhin e automjetit, ndërsa mjeku ligjor ka theksuar se gjendja e tij e rënduar e bënte të pamundur përcaktimin e menjëhershëm të shkakut të vdekjes. Dyshohet se viktima kishte qenë e vdekur për disa javë para zbulimit.Raporton BBC.
Celeste Rivas Hernandez ishte raportuar e zhdukur nga familja e saj në prill të vitit 2024 dhe jetonte rreth 120 kilometra larg vendit ku u gjet trupi i saj.
Rasti ka tërhequr vëmendje të madhe publike dhe ka nxitur spekulime në rrjetet sociale, ndërsa hetimet morën një kthesë të re në dhjetor, kur juria e madhe filloi shqyrtimin e provave.
Ndërkohë, pas zhvillimeve të fundit, D4vd ka anuluar turneun e tij botëror dhe është tërhequr nga paraqitjet publike. Gjithashtu, ai është larguar nga bashkëpunimet me brende të njohura si Hollister dhe Crocs.
Përfaqësuesit e tij kanë deklaruar më herët se artisti është duke bashkëpunuar me autoritetet, ndërsa vetë ai nuk ka bërë komente të gjera publike deri më tani.
Hetimet janë ende në zhvillim dhe autoritetet nuk kanë publikuar detaje të tjera mbi rastin.
