UBT News

KEK-u tregon pse po kërkon ta ngrisë çmimin e shitjes së energjisë

Korporata Energjetike e Kosovës e ka konfirmuar kërkesën që e ka dërguar për ngritjen e çmimit të shitjes së energjisë elektrike, duke dhënë edhe argumente se pse duhet të ndodh kjo, porse thekson se nuk kanë marrë ndonjë përgjigje lidhur me këtë kërkesë.

Skënder Bucolli nga zyra për marrëdhënie me publikun e KEK-ut, ka thënë se e ka dërguar kërkesën për rishikim të çmimeve, porse nuk ka informata që është aprovuar rritja e çmimit sipas kërkesës së tyre.

“KEK ka dërguar kërkesën për rishikim të çmimeve tek KESCO/KEDS, propozimi i KEK për çmimet e reja ka qenë 31.50€ për KESCO dhe 39.10€ për KEDS. Megjithatë, KEK nuk ka informata që është aprovuar rritja e çmimit sipas kërkesës tone, për më tepër gjatë shqyrtimit tarifor nga ZRRE bazë për kalkulimin e të hyrave për KESCO/KEDS është marrë çmimi aktual me të cilin furnizohen”, ka thënë ai.

Bucolli tha se çmimet e energjisë elektrike nga KEK-u nuk kanë pësuar ndryshime që nga viti 2019 dhe se sipas tij arsyet kanë qenë fillimisht pandemia e më pastaj kriza energjetike.

“Për më tepër, qëllimi primar për rishikimin e çmimeve të energjisë elektrike janë mbulimi i të gjitha kostove dhe në anën tjetër sigurimi i mjeteve të mjaftueshme për të bërë investimet e nevojshme kapitale të cilat do të ndikojnë në stabilitetin e njësive gjeneruese, atëherë mos reflektimi i propozimit të KEK-ut mund të shkaktojë vonesa në realizimin e investimeve kapitale por edhe mundësinë e operimit me humbje”, theksoi Bucolli.

Ndryshe, Zyra e Rregullatorit për Energji (ZRRE) ka konfirmuar se nuk do të ketë rritje të çmimit të energjisë elektrike. Në një përgjigje me shkrim, ata thonë se në vlerësimin e kostove me shumicë për vitin 2024, ZRRE ka marrë në konsideratë çmimet aktuale, pasi siç thonë “nuk kanë pranuar ndonjë dëshmi tjetër nga palët të cilat i nënshtrohen rregullimit për rishikimin e çmimit të blerjeve të energjisë nga KEK-u, andaj nuk do të ketë ndryshim të çmimeve”.

Exit mobile version