Korporata Energjetike e Kosovës KEK njofton opinionin se nuk ka vend për shqetësim në lidhje me operimin dhe sigurinë në njësitë e TC Kosova A.
Sipas zyrës për informim në KEK, njësia A4 është ndalur për shkak të një lidhjeje të shkurtër në kabllot e matjeve, dhe është shkyçur nga puna në mënyrë të rregullt.
“Ekipet e mirëmbajtjes janë angazhuar që nga momenti i ndaljes së njësisë dhe po punojnë për sanimin e gjendjes, me qëllim që njësia të kthehet në operim sa më shpejt. Zjarri i raportuar në media ka ndodhur jashtë njësisë A4 dhe I njëjti është lokalizuar dhe fikur në kohë optimale nga zjarrfikësit”, thuhet tutje.
Korporata Energjetike e Kosovës fton të gjitha mediat dhe palët e interesit që në raste të tilla të kërkojnë informacione zyrtare nga KEK, për të evituar krijimin e panikut përmes lajmeve të pavërteta.
“Kjo është e rëndësishme për të siguruar që opinioni publik të jetë i informuar saktë”, ka thënë KEK-u.
Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës Ferat Shala përmes një video në rrjetin social Facebook, ka thënë se ka eksploduar kazani në Termocentralin Kosova A, Blloku A4./UBTnews/