Korporata Energjetike e Kosovës (KEK) bëri të ditur se sipas të dhënave të pranuara nga KOSTT-i, janë rreth 672 biznese që ende nuk kanë gjetur furnizues të ri, pas daljes në tregun e lirë të energjisë elektrike.
Nga 1 qershori 2025, sipas vendimit të ZRrE-së, bizneset e mëdha që kanë më shumë se 50 të punësuar ose më shumë se 10 milionë euro qarkullim detyrohen që energjinë elektrike ta sigurojnë në tregun e lirë.
KEK-u është Furnizues i Mundësisë së Fundit (FMF), i cili sipas një vendimi të ri të ZRrE-së, do të ketë këtë status deri në janar të vitit 2026.Përmes një komunikate për media me 19.06.2025, KEK-u ka thënë se deri më tash janë nënshkruar 360 kontrata me biznese si FMF dhe janë dërguar për nënshkrim edhe 540 kontrata të tjera.
“Vlen të theksohet se për shkak të interesimit të shtuar nga bizneset, gjendja është dinamike dhe në ndryshim të vazhdueshëm, andaj KEK është në kontakt të drejtpërdrejtë me konsumatorët për t’i informuar dhe asistuar për lidhjen e kontratave në mënyrë të rregullt dhe ligjore” – thuhet në njoftim.Kurse në lidhje me kontrata komerciale, KEK-u si furnizues i licencuar në tregun e lirë, ka thënë se ka nënshkruar vetëm 16 të tilla, por që sipas tyre, ky numër është në rritje.