Aktorja e njohur Keira Knightley ka shpjeguar arsyen pse dy vajzat e saj nuk kanë profile në rrjetet sociale, duke iu bashkuar debatit gjithnjë e më të madh mes prindërve për ndikimin e teknologjisë tek fëmijët.
Në një kohë kur shqetësimet po shtohen rreth rreziqeve të inteligjencës artificiale, dhunës online dhe efekteve negative të përdorimit të tepërt të ekraneve në shëndetin mendor, shumë prindër po tregohen më të kujdesshëm — dhe Knightley është njëra prej tyre, shkruan Unilad.
Në një intervistë për BBC Radio Four, aktorja, nënë e Edie (10 vjeç) dhe Delilah (6 vjeç), që ka me bashkëshortin e saj James Righton, tha: “E gjej shumë të frikshme sepse është një hapësirë e parregulluar. Dhe për fëmijët, një hapësirë e tillë është diçka nga e cila dua t’i mbroj.”
Ajo shtoi se në familjen e tyre ekziston një rregull i qartë: “Ne kemi një rregull ‘pa rrjete sociale’ në shtëpi. Fëmijët nuk lejohen të përdorin pajisje nëse ne nuk mund të shohim se çfarë po shikojnë.”
Knightley shpjegoi gjithashtu se vajzat e saj ndjekin një shkollë që promovon një fëmijëri pa rrjete sociale, ku edhe prindërit janë të përfshirë në këtë qasje.
“Shumica e prindërve në shkollë, pas shumë inkurajimi, bien dakord se kjo është rruga që duam të ndjekim. Sigurisht, jo të gjithë, sepse është një çështje që ndan mendimet e njerëzve,” shtoi ajo. /A.Z/UBT News/
