UBT News

Kefiri – Enzimat fermentuese që luftojnë bakteret

Njerëzit kanë prodhuar dhe pirë kefir për mijëra vite. Sipas të dhënave të AgroWeb.org për shekuj të tërë, kefiri është përdorur në mjekësinë popullore evropiane dhe aziatike.

Kefiri është një produkt bulmeti i ngjashëm me kosin dhe ajkën e qumështit. Kjo pije përgatitet me anë të farave të kefirit, struktura qelizore të baktereve dhe tharmit që fermentojnë qumështin.

Vlerat e kefirit janë të pafundme.  Për rrjedhojë mjekë të ndryshëm e kanë renditur kefirin në listën e produkteve më të mira të bulmetit bashkë me kosin.

Sipas të dhënave të AgroWeb.org ky lëng është shumë i pasur me probiotikë, baktere të mira që mbajnë të shëndetshëm stomakun dhe zorrët.

Bakteret e mira nuk duhen nënvlerësuar sepse 75% e sistemit imunitar të njeriut e ka pikënisjen tek sistemi tretës.

Cila është enzima në kefir që lufton bakteret?

Kefiri njihet për përfitimet e shumta shëndetësore, të cilat përfshijnë uljen e kolesterolit, efektin antioksidues dhe gjithashtu vetitë antimikrobike.

Megjithatë shkencëtarët nuk ishin ende të sigurt saktësisht se si kefiri frenon rritjen e baktereve që shkaktojnë sëmundje të ndryshme.

Studiuesit në Universitetin Ben-Gurion të Negev, Izrael, zbuluan se një lloj enzime në kefir, i quajtur Kluyveromyces marxianus sekreton një molekulë që prish komunikimin midis baktereve.

Kjo molekulë quhet acetat triptofoli dhe kjo është hera e parë që studiuesit zbulojnë një enzimë që e prodhon atë.

Në kulturat laboratorike, studiuesit zbuluan se acetati i triptofolit kishte një efekt frenues në rrugët e komunikimint midis disa baktereve që shkaktojnë sëmundje.

Disa nga bakteret e testuara ishin:

Pseudomonas aeruginosa, e cila shkakton pneumoni kur infekton mushkëritë

S.enterica, e cila është përgjegjëse për helmimin nga ushqimi.

Stafilokoku aureus, i cili mund të shkaktojë infeksione që mund kërcënojnë jetën.

V.kolera, e cila shkakton kolerën.

“Ky është demonstrimi i parë që virulenca e baktereve patogjene njerëzore mund të zbutet nga molekulat e sekretuara në produktet e qumështit probiotik, të tilla si kosi ose kefiri,” thotë autori i studimit Prof. Raz Jelinek.

Shkencëtarët u përqendruan veçanërisht në efektin e acetatit të triptofolit në V. kolera. Ata zbuluan se substanca bllokonte rrugët e komunikimit në këtë baktere dhe ulte virulencën e saj.

Studiuesit shprehen se kjo lloj ndërhyrje në komunikimin bakterial mund të jetë e zakonshme në mjedise komplekse ku mikroorganizma të ndryshëm jetojnë së bashku, të tilla si në ushqimin probiotik ose në zorrë./AgroWeb.org

Exit mobile version