Komisioni Evropian ka dënuar sulmet terroriste të kryera nga Hamasi kundër Izraelit gjatë fundjavës. Pas këtyre ngjarjeve, Komisioni sot njoftoi se po nis një rishikim urgjent të ndihmës së BE-së për Palestinën, duke bërë të ditur se nuk do të ketë pezullim të ndihmave, shkruan KosovaPress.
Përveç masave mbrojtëse ekzistuese, objektivi i këtij rishikimi është të sigurojë që asnjë financim i BE-së nuk i mundëson në mënyrë indirekte ndonjë organizate terroriste të kryejë sulme kundër Izraelit.
Komisioni do të shqyrtojë në mënyrë të barabartë nëse në rrethanat e ndryshuara në terren, programet e tij mbështetëse për popullsinë palestineze dhe për Autoritetin Palestinez duhet të përshtaten.
Komisioni do ta kryejë këtë rishikim sa më shpejt të jetë e mundur dhe do të koordinohet me Shtetet Anëtare dhe partnerët për çdo veprim të nevojshëm vijues.
Ndërkohë, pasi nuk ka pasur ndihma të parapara, nuk do të ketë pezullim të tyre.
Ky rishikim nuk ka të bëjë me ndihmën humanitare të ofruar në kuadër të Operacioneve të Mbrojtjes Civile Evropiane dhe Ndihmës Humanitare (ECHO).