Komisioni Evropian rekomandoi hapjen e negociatave të pranimit në Bashkimin Evropian me Ukrainën, ndërsa rekomandoi gjithashtu hapjen e bisedimeve me Moldavinë, pasi t’i përmbushë kushtet përfundimtare.
Për Gjeorgjinë, shtoi KE-ja në një deklaratë më 8 nëntor, iu rekomandua dhënia e statusit zyrtar të kandidatit, nëse i plotëson kushtet e mbetura të përcaktuara nga blloku.
Komisioni Evropian rekomandoi edhe hapjen e negociatave të anëtarësimit të Bosnje e Hercegovinës me BE-në, kur të arrihet shkalla e nevojshme e pajtueshmërisë me kriteret për anëtarësim. Komisioni do t’i raportojë Këshillit deri në mars 2024 për çdo progres.
Për herë të parë, raportet e progresit u miratuan për dhjetë shtete që janë në këtë proces. Raportet u miratuan për gjashtë shtetet e rajonit të Ballkanit Perëndimor – Kosova, Shqipëria, Serbia, Maqedonia e Veriut, Serbia, Bosnje e Hercegovina dhe Mali i Zi – dhe për Moldavinë, Gjeorgjinë e Ukrainën. Po ashtu, Raport Progresi ende hartohet edhe për Turqinë, shtet që formalisht ende ka statusin e vendit kandidat.
Kosova mbetet i vetmi vend që nuk ka rekomandim për statusin e kandidatit nga këto dhjetë vende.
Zyrtarët evropianë thanë të mërkurën se dialogu me Serbinë është rruga përpara për Kosovën drejt BE-së.
Në konferencën për media në Bruksel, presidentja e KE-së, Ursula von der Leyen, tha se zbatimi i marrëveshjes për krijimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, mund të jetë një hap i madh përpara për Kosovën.
“Mendoj se është e rëndësishme që Kosova të ketë një qëllim shumë të qartë lidhur me anëtarësimin në BE, që ne të jemi të qartë se çfarë presim nga Kosova. Ne diskutuam, kur isha në rajon, për zbatimin e draft-statutit për Asociacionin e komunave me shumicë serbe, dhe ky zbatim do të ishte një hap i madh përpara. Është në interes së Kosovës”, tha ajo, shkruan REL.
Edhe pse Kosova ka aplikuar për anëtarësim në BE, komisionari për Zgjerim i BE-së, Oliver Varhelyi, tha se Këshilli ende nuk ka kërkuar nga komisioni që të japë opinion për këtë.
“Ne jemi të gatshëm të japim opinionin”, tha ai.
“Ndjenja jonë është se për Kosovën rruga drejt BE-së po vjen përmes një dialogu të suksesshëm. Ata duhet t’i dyfishojnë përpjekjet e tyre për ta bërë dialogun të suksesshëm”, shtoi Varhelyi.
Në Raportin e Progresit për Kosovën, në shumicën e fushave që vlerësohen, Komisioni Evropian ka thënë se Kosova ka shënuar “përparim të kufizuar”.
Në raport gjerësisht përmendet edhe situata e tensionuar e sigurisë në veri të Kosovës – që banohet me shumicë serbe – por edhe për procesin e normalizimit të raporteve me Serbinë përmes dialogut që ndërmjetësohet nga Bashkimi Evropian.
Në raportin për Kosovën shprehjet keqardhje që Kosova dhe Serbia nuk kanë nisur t’i kryejnë obligimet e tyre nga dialogu pa parakushte dhe vonesa të tjera. Kosovës i bëhet ftesë veçmas që të themelojë Asociacionin e komunave me shumicë serbe. Në raport, tashmë kërkohet që Asociacioni të themelohet duke pasur për bazë propozimin e fundit për draft-statusin për Asociacionin, që u është prezantuar palëve më 21 tetor.
Për herë të parë, raportet e progresit u miratuan për dhjetë shtete që janë në këtë proces. Raportet u miratuan për gjashtë shtetet e rajonit të Ballkanit Perëndimor – Kosova, Shqipëria, Serbia, Maqedonia e Veriut, Serbia, Bosnje e Hercegovina dhe Mali i Zi – dhe për Moldavinë, Gjeorgjinë e Ukrainën. Po ashtu, Raport Progresi ende hartohet edhe për Turqinë, shtet që formalisht ende ka statusin e vendit kandidat.