UBT News

KE: I takon Kosovës që të shfrytëzojë mundësitë e ofruara nga MSA

Marrëveshja e Stabilizim-Asociimit me Kosovën tashmë ka gjashtë vjet që është në fuqi dhe është themeli për procesin e integrimit evropian të Kosovës, kështu thotë për KosovaPress zëdhënësja e Komisionit Evropian, Ana Pisonero.

Të mërkurën e kaluar u bënë gjashtë vite që kur Kosova nënshkroi Marrëveshjen për Stabilizim Asocim (MSA) me Bashkimin Evropian

Kjo marrëveshje ishte cilësuar e një rëndësie historike për integrimin politik, ligjor dhe ekonomik të Kosovës në Bashkimin Evropian.

Zëdhënësja e Komisionit Evropian, Ana Pisonero, e cilëson MSA-në diçka shumë më tepër se një kornizë ligjore dhe kontraktuale mes Kosovës dhe BE-së.

“Marrëveshja është shumë më tepër se një kornizë ligjore dhe kontraktuale. Ajo ankoron dialogun tonë politik që mbulon të gjithë sektorët e ekonomisë dhe shoqërisë. Ofron mundësi të gjera dhe të larmishme nga zhvillimi ekonomik dhe tregtar, deri te luftimi i korrupsionit dhe forcimi i shtetit të së drejtës, si dhe trajtimi i ndryshimeve klimatike”, tha ajo.

Por, shtoi se: “i takon Kosovës që të shfrytëzojë mundësitë e ofruara nga kjo marrëveshje, për shembull duke vendosur – si në ligj ashtu edhe në frymë – politikat ekonomike, garancitë e sundimit të ligjit dhe standardet e nevojshme për tërheqjen e investimeve dhe rritjen e cilësisë së produkteve vendore që të jenë më konkurrues”.

Sipas saj, sa më shumë që Kosova të zbatojë MSA-në, aq më afër do të jenë standardet e saj me ato në shtetet anëtare të BE-së, që ofrojnë më shumë mundësi për tregti dhe investime.

Brenda kornizës së MSA-së janë disa kritere që Kosova duhet plotësuar në mënyrë që qytetarët e saj të lëvizin pa viza në zonën Shengen. Edhe pse MSA vlerësohet si një veprim i rëndësishëm i ecjes drejt BE-së, Kosova është shteti i vetëm në rajon që nuk ka liberalizim të vizave.

E pyetur për arsyet e mungesës së një vendimi nga ana e BE-së për këtë çështje, Pisonero thotë se Parlamenti Evropian ka mbështetur propozimin e Komisionit, por ai është ende në shqyrtim në Këshill, nga shtetet anëtare të BE-së.

“Komisioni Evropian është shumë i vetëdijshëm për rëndësinë e kësaj çështjeje për qytetarët e Kosovës. Komisioni i qëndron vlerësimit të tij nga korriku 2018 se Kosova i përmbush standardet për liberalizimin e vizave. Parlamenti Evropian ka mbështetur propozimin e Komisionit, por ai është ende në shqyrtim në Këshill, nga shtetet anëtare të BE-së”, përfundoi ajo.

Exit mobile version