Instituti Demokratik i Kosovës (KDI) ka mbajtur tryezën me temën “Fushata zgjedhore për zgjedhjet lokale 2021 dhe ndikim i saj në punën e Kuvendit të Kosovës”.
Eugen Cakolli nga KDI-ja tha se element i rëndësishëm që dëshmon për pjekurinë e subjekteve politike dhe kandidatëve në garë është pranimi i menjëhershëm i rezultatit zgjedhor.
“Gjatë fushatës për raundin e parë është vërejtur një koncentrim dukshëm më i madh i aktiviteteve të fushatës në promovimin e kandidatëve për kryetarë komunash, duke lënë në hije kandidatët për kuvendet komunale. Kjo nuk është diçka e re për fushatat zgjedhore në Kosovë, pasi që tradicionalisht subjektet politike e kanë vendosur gati se plotësisht fokusin tek kandidatët për kryetar komunash. Sa i përket gjuhës së përdorur nga kandidatët, ndonëse në nivel të përgjithshëm ajo ishte e balancuar, gjatë raundit të dytë, rastet e acarimit të gjuhës dhe ashpërsimit të diskursit mes kandidatëve kanë qenë mjaft të shprehura, sidomos gjatë debateve televizive. Element tjetër i rëndësishëm që dëshmon për pjekurinë e subjekteve politike dhe kandidatëve në garë, është pranimi i menjëhershëm i rezultatit zgjedhor. Në të gjitha komunat, të gjithë kryetarët e zgjedhur kanë pranuar mandatin e tyre pa ndonjë problem, ndërsa në rastet kur ka pasur ndërrim pushtetesh, tranzicioni ka qenë i qetë dhe ka shpërfaqur korrektësi politike mes kandidatëve. Në anën tjetër, përkundër thirrjeve të vazhdueshme për përfshirje të më shumë grave në lista zgjedhore, subjektet politike përgjithësisht kanë vijuar me respektimin e kriterit minimal ligjor prej 30%, dhe atë vetëm në kuadër të listave për kuvendet komunale. Ndërsa si kandidate për kryetare të komunave dhe bartëse të listave zgjedhore, përfshirja e grave ishte edhe më margjinale, me vetëm dy gra (nga komuniteti serb) të zgjedhura si kryetare – në Graçanicë dhe Ranillug. Ndërsa, nga 1 mijë e 2 kandidatët që kanë arritur të fitojnë ulëse në të gjitha kuvendet komunale në nivel vendi, vetëm 364 prej tyre ishin gra. Ky numër i grave është afërsisht brenda hapësirës që atyre u është ofruar brenda listave zgjedhore”, tha Cakolli.
Agnesa Haxhiu tha se nga 13 deputetë që kanë garuar për kryetarë komune, vetëm 3 prej tyre kanë arritur të fitojnë.
Ndërkaq tha se dorëheqja e Uran Ismailit nga posti i deputetit për të garuar si kryetar komune është praktikë e mirë.
“13 deputetë kanë garuar për kryetar komune në zgjedhjet lokale që janë mbajtur në Kosovë. Sa i përket bartës së listave del që PDK, Lista Serbe dhe grupi multi-etnik kanë pasur nga dy deputetë që kanë garuar si bartës të listave të tyre zgjedhore, ndërsa VV dhe AAK kanë pasur një deputet. Prej këtyre 13 deputetëve që kanë garuar për kryetarë komune, gjashtë prej tyre kanë qenë përveç deputetë kanë role udhëheqëse në Kuvend, si nënkryetar, shef i GP ose kryetar Komisioni. Në Kosovë politikanët e kanë bartur sigurinë e deputetit si mundësi e promovimit të pozitave tjera publike. Në këto zgjedhje nga 13 deputetë që kanë garuar për kryetar komune, vetëm tre deputetë kanë arritur ta fitojnë këtë garë, ndërsa një prej tyre ka dhënë dorëheqje në momentin e fushatës, i cili është Uran Ismaili që ka treguar një praktikë të mirë”, tha ajo.