Instituti Demokratik i Kosovës (KDI), ka kërkuar nga Qeveria e Kosovës që të jetë më transparente për dialogun me Serbinë.
Sipas tyre, vizitat e shpeshta të emisarëve specialë nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian po dëshmojnë për një dinamikë të shtuar në dialog.
“Vizitat e shpeshta të emisarëve specialë nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian po dëshmojnë për një dinamikë të shtuar në dialogun mes Kosovës dhe Serbisë. Përderisa procesi gjendet në një fazë mjaft delikate, qytetarët e Kosovës janë të pa informuar mbi përmbajtjen e takimeve të ndërlidhura me dialogun dhe dakordimet eventuale lidhur me këtë proces.Diskutimet mbi përmbajtjen e propozimit Franko-Gjerman/Evropian dhe zbatimin e Marrëveshjes së Dialogut mbi Asociacionin janë temat kryesore në debatet mediale, ndërkohë që mungon një debat i strukturuar politik e shoqëror dhe një mostransparencë e theksuar e Qeverisë mbi qëndrimet e saj në raport me këto propozime”, thuhet në komunikatën për media.
“Duke qenë i mbyllur dhe i reduktuar, ky proces çdo ditë e më tepër po krijon hapësirë për dezinformim, pasiguri dhe ulje të besimit të publikut. Informacionet selektive dhe deklaratat e kufizuara të emisarëve ndërkombëtarë mbeten burimet e vetme të informacioneve, ndërkohë që Qeveria po shmang adresimet për publikun. Prandaj Qeveria si mandatare për të udhëhequr dialogun me Serbinë duhet të jetë e hapur dhe t’a informojë publikun lidhur me qëndrimet e saj dhe të priturat nga ky proces. Kjo duhet të përfshijë edhe raportimet me vetiniciativë të Kryeministrit në Kuvendin e Kosovës, si institucioni më i lartë përfaqësues”, thuhet më tej.
Meqë përmbyllja e dialogut Kosovë-Serbi është çështje e interesit nacional, pritjet tona janë që edhe subjektet politike opozitare të tregohen të përgjegjeshme dhe serioze në përpjekjet e tyre për ta mbajtur qeverinë llogaridhënëse dhe për të ofruar kapacitetet e tyre në formësimin e qëndrimeve sa më konsensuale të palës kosovare.
Në këtë drejtim, opozita përmes praktikave dhe instrumenteve kushtetuese parlamentare, do të duhej të ftonte kryeministrin në raportim në një seancë të jashtëzakonshme të Kuvendit, në lidhje me zhvillimet në procesin e dialogut.