UBT News

KDI: Pushteti të mos e paralizojë punën e Kuvendit

Instituti Demokratik i Kosovës ka mbajtur konferencë për media lidhur me zhvillimet e fundit në Kuvend. Violeta Haxholli, nga KDI tha se fillimi i sesionit vjeshtor, i fundit për këtë legjislaturë përveç se është duke e vazhduar praktikën e zvarritjes së pikave të rendit të ditës në mungesë të kuorumit, është duke u sfiduar edhe nga veprime që po e minojnë funksionimin e jetës parlamentare.

Sipas saj, kur kanë mbetur rreth 2 muaj deri në përmbylljen e punës së kësaj legjislature, Kuvendi ka në agjendë plot 23 pika, që po barten nga seanca në seancë – disa prej tyre edhe që nga viti i kaluar.

“Përpos këtyre pikave, në këtë periudhë do të duhej të shqyrtoheshin edhe rreth 50 projektligje e vendime me interes jetik, që janë pjesë e agjendës legjislative. Megjithatë, kjo agjendë e ngjeshur nuk po reflektohet në planifikimet e Kuvendit për mbajtje të seancave dhe shqyrtim përmbajtjes legjislative, meqë që nga fillimi i sesionit vjeshtor në javën e dytë të shtatorit, të tri seancat e thirrura janë mbyllur menjëherë në mungesë kuorumi – pa arritur që të miratohet ndonjë projektligj”.

Sipas saj, në javën e fundit, posaçërisht sfidues për punën e Kuvendit ka qenë bojkotimi i seancave plenare nga shumica parlamentare, në rastet kur opozita ka propozuar diskutime ose ka thirrur seanca të jashtëzakonshme për tema të rëndësishme.

“Është e paprecedentë që bojkoti si instrument politik parlamentar, shfrytëzohet nga partitë në pushtet, të cilat, në fakt, do të duhej të ishin përgjegjëse për funksionimin dhe mbarëvajtjen e punimeve plenare të Kuvendit. I papranueshëm është edhe veprimi i kryetarit Glauk Konjufca për të shmangur udhëheqjen e seancave të fundit të thirrura nga opozita – përkundër që ky përbën një obligim të tij kushtetues”.

Ajo ka shtuar se Kuvendi duhet të jetë hapësira kryesore për të zhvilluar debat të hapur dhe konstruktiv për çështje janë në interes të publikut; dhe jo të konsiderohet vetëm si makineri votimi, duke shtuar se debatet i formësojnë opinionet publike, i japin drejtim politikave, si dhe prodhojnë alternativa për vendimet që merren në Kuvend, raporton EO.

“Në periudhën e mbetur, Kuvendin e pret vendimmarrja për marrëveshjet ndërkombëtare, buxhetin e shtetit për vitin e ardhshëm, dhe një sërë projektligjesh që kanë ndikim në proceset ekonomike dhe integruese të Kosovës. Vazhdimi i praktikave sabotuese të jetës parlamentare nga pozita dhe shfrytëzimi i Kuvendit si platformë për qëllime elektorale, e rrezikon këtë vendimmarrje dhe i kontribuon polarizimit, që reflekton negativisht edhe tek qytetarët, sidomos tani në prag të zgjedhjeve”.

Haxholli pohoi se për një proces parlamentar të qëndrueshëm dhe produktiv, opozitës duhet ti garantohet hapësira e nevojshme për debat.

“Në anën tjetër, për miratimin e ligjeve dhe marrëveshjeve ndërkombëtare, partia në pushtet duhet t’i sigurojë numrat e nevojshëm dhe për këtë duhet të ju prijë përpjekjeve për konsensus me partitë opozitare”.

 

Exit mobile version