Instituti Demokratik i Kosovës publikoi analizën “Projektligji për Paga: Tendencë për nivelizim apo ndërhyrje”.
Gzime Hashani nga KDI potencoi që legjislacioni në fuqi pamundëson uljen e pagave të gjyqtarëve dhe prokurorëve gjatë mandatit për të cilin ata janë emëruar, përveç nëse kjo arsyetohet nga një situatë e jashtëzakonshme e vështirësive financiare.
“Meqenëse situata ekonomike dhe buxheti në Kosovë janë konsideruar nga ekzekutivi si më pozitivet viteve të fundit, ulja e pagave në sektorin gjyqësor, pavarësisht qëllimit të nivelizimit, nuk plotëson parakushtet ligjore. Për më tepër, bazuar në standardet dhe praktikat ndërkombëtare, edhe pagat në gjyqësor mund të ulen vetëm në kuadër të ulje proporcionale të pagave në gjithë sektorët dhe një standard i tillë do të duhej të reflektoj nga ky projektligj”, deklaroi ajo.
Albesa Humolli nga KDI-ja adresoi çështjen e përfshirjes së institucioneve të pavarura në projektligj, duke potencuar që projektligji për paga përmban paqartësi në lidhje përfshirjen dhe pozicionin e institucioneve të pavarura. Në këtë drejtim, u theksua që është i domosdoshëm respektimi i pavarësisë, rregullimit specifik, natyrës e punës dhe klasifikimit të vendeve të punës brenda këtyre institucioneve.
Gjithashtu edhe mospërfshirja në këtë projektligj e ndonjërit prej institucioneve të pavarura, si në rastin e AKI-së dhe BQK-së, duhet të arsyetohet për nevojën dhe rezultatin që do të sjellë ky përjashtim.
Tutje Humolli përmend se mangësi e projektligjit për paga është edhe mungesa e përcaktimit të vlerës monetare të koeficientit. Humolli e sheh si problematike përcaktimin e vlerës së koeficientit nëpërmjet Ligjit vjetor të Buxhetit, meqenëse kjo e cenon parimin e parashikueshmerisë së këtij projektligji. Për më tepër, mosnjohja e vlerës së koeficientit krijon pasiguri juridike edhe tek subjektet të cilat i nënshtrohen këtij projektligji, si dhe pamundëson përcaktimin e kostos buxhetore të vetë ligjit.
Në fund, u ritheksua që në kuadër të përpjekjeve të ekzekutivit për nivelizim të pagave në sektorin publik, duhet medoemos të merren parasysh vendimet e Gjykatës Kushtetuese, por edhe praktikat dhe standardet ndërkombëtare – në mënyrë që të shmanget mundësia që ky projektligj të jetë sërish objekt i shqyrtimit të Gjykatës Kushtetuese dhe të shfuqizohet nga po e njëjta.
Duke iu referuar përpjekjeve të pasuksesshme të disa qeverive tash e disa vite për të harmonizuar pagat e sektorit publik me një ligj të vetëm, analiza e KDI-së i trajton tre çështje: i) aspektin e ndërhyrjes së qeverisë në sistemin e drejtësisë përmes këtij projekt-ligji; ii) përfshirjen e institucioneve të pavarura në kuadër të tij; si dhe iii) nevojën e përcaktimit të koeficientit të pagës. Në raport me këto çështje, KDI ka elaboruar edhe standardet dhe praktikat ndërkombëtare në lidhje me caktimin e pagave për pushtetin gjyqësor.
Projektligji për paga vjen si një përpjekje e dytë e ekzekutivit për nivelizim të pagave në sektorin publik. Në vitin 2018, qeveria e atëhershme kishte prezantuar Ligjin për paga i cili pas hyrjes në fuqi ishte dërguar për shqyrtim në Gjykatën Kushtetuese të Kosovës. Kjo gjykatë kishte konstatuar se ky ligj nuk ishte në përputhshmëri me 11 nene të Kushtetutës. Sidoqoftë edhe versioni aktual i këtij projektligji i propozuar nga qeveria shtator 2022, ndonëse arsyeton nevojën për nivelizim të pagave në sektorin publik, nuk ka arritur të adresojë në tërësi konstatimet e Gjykatës Kushtetuese.