UBT News

KDI mirëpret vendimin e Supremes për shfuqizimin e disa dispozitave të Rregullores së KQZ-së

Instituti Demokratik i Kosovës (KDI) ka mirëpritur vendimin e Gjykatës Supreme për shfuqizimin e disa dispozitave të Rregullores Zgjedhore nr. 04/2026 për Vëzhguesit e Zgjedhjeve, duke vlerësuar se ato tejkalonin kompetencat e përcaktuara me Ligjin për Zgjedhjet e Përgjithshme.

Sipas KDI-së, dispozitat e shfuqizuara i jepnin Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ) kompetenca shtesë për të kërkuar informacione mbi burimet e financimit të organizatave, zgjeronin kërkesat për dokumentacion dhe krijonin kritere të paqarta për refuzimin e akreditimit të organizatave dhe mediave, duke lënë hapësirë për vendimmarrje arbitrare.

KDI thekson se rregullorja kufizonte edhe pjesëmarrjen e vëzhguesve që ishin në procedurë hetimore për shkelje zgjedhore, gjë që, sipas organizatës, cenonte parimin e prezumimit të pafajësisë. Po ashtu, kufizoheshin edhe të drejtat e vëzhguesve dhe mediave për të ndjekur mbledhjet publike të KQZ-së dhe Komisioneve Komunale të Zgjedhjeve, ndonëse karakteri publik i tyre garantohet me ligj.

Sipas KDI-së, vendimi i Gjykatës Supreme konfirmon se të drejtat dhe detyrimet e subjekteve nuk mund të kufizohen apo zgjerohen përmes akteve nënligjore pa mbështetje të qartë ligjore, duke vendosur një standard të rëndësishëm për ligjshmërinë, sigurinë juridike dhe transparencën në administrimin e zgjedhjeve.

Në fund, KDI i ka bërë thirrje KQZ-së që ta zbatojë pa vonesë aktgjykimin e Gjykatës Supreme dhe ta harmonizojë Rregulloren për Vëzhguesit e Zgjedhjeve me Ligjin për Zgjedhjet e Përgjithshme, përmes një procesi transparent dhe gjithëpërfshirës me konsultim publik të organizatave të shoqërisë civile, mediave dhe akterëve të tjerë relevantë./A.K/

Exit mobile version