UBT News

KDI: Mbi 70% e të anketuarve në Kosovë e Serbi të pakënaqur me rolin e BE-së në dialog

Instituti Demokratik i Kosovës (KDI) ka publikuar rezultatin e një sondazhi të realizuar në Kosovë e Serbi gjatë këtij muaji, lidhur me procesin e dialogut.

Violeta Haxholli nga KDI-ja ka treguar se 2 mijë persona janë anketuar në Kosovë e Serbi për këtë sondazh. Tutje Haxholli tha se qytetarët serb janë shfaqur më skeptik ndaj këtij procesi dhe më kritikues ndaj BE-së.

“Kërkojmë që qeveria e Kosovës të zhvillojë një dialog me komunitetin serb që t’i integrojë në këtë aspekt. Qytetarët e Serbisë janë më skeptik për këtë Dialog dhe më fajësues ndaj BE-së dhe kemi parë se këta qytetarë nuk po përfitojnë dhe nuk janë të kënaqur me rolin e BE-së dhe janë shumë skeptik për mbylljen e marrëveshjes”, tha ajo.

Sipas rezultateve 49 për qind e qytetarëve në Kosovë mendojnë se pavarësisht dialogut marrëdhënia mes Kosovë e Serbisë ka mbetur e njëjtë, ndërsa kështu mendojnë edhe 56 për qind të serbëve të anketuar.

Po ashtu 51 për qind e qytetarëve të anketuar në Kosovë kanë vlerësuar se nga dialogu po përfitojnë partitë politik. Po ashtu 49.7 për qind e qytetarëve të anketuar në Kosovë mendojnë se Serbia është përgjegjëse për mungesën e përparimit në dialog, ndërsa 48.4 për qind e serbëve e shohin përgjegjëse BE-në.

Sa i përket Asociacionit të komunave me shumicë serbe, 54 për qind e qytetarëve të anketuar në Kosovë thonë se e cenon sovranitetin e vendit.

Ndërsa sa i përket kënaqshmërisë për rolin e Bashkimit Evropian si lehtësuese e dialogut, mbi 70 për qind e qytetarëve serbë e kosovarë janë të pakënaqur.

Exit mobile version