Instituti Demokratik i Kosovës (KDI) ka njoftuar se Kosova ka shënuar një ngritje të rëndësishme në Indeksin e Perceptimit të Korrupsionit (CPI) për vitin 2024, të publikuar nga Transparency International. Sipas këtij indeksi, Kosova renditet e 73-ta në ranglistën botërore, duke arritur 44 pikë, dhe është e dyta në Ballkanin Perëndimor pas Malit të Zi.
Në këtë raport, ku përfshihen 180 shtete të botës, Kosova është para Shqipërisë, Maqedonisë së Veriut, Serbisë dhe Bosnjë-Hercegovinës, duke treguar një përparim në luftën kundër korrupsionit. Sidoqoftë, rajoni i Evropës Juglindore dhe Azisë Qendrore, ku bën pjesë edhe Kosova, ka mesataren më të ulët të rezultateve në botë, kryesisht për shkak të problemeve të theksuara me sundimin e ligjit, autokracinë në rritje, cenimin e mediave të lira dhe institucionet e dobëta demokratike.
Indeksi është hartuar bazuar në raporte kredibile të organizatave ndërkombëtare si Banka Botërore, Freedom House, World Justice Project dhe Bertelsmann Foundation Transformation Index, shumica e të cilave janë publikuar në vitin 2023. KDI ka kërkuar që luftimi i korrupsionit të jetë një prioritet për institucionet e reja qeverisëse pas zgjedhjeve të fundit dhe të udhëhiqet nga një strategji kombëtare e efektshme.
Në një deklaratë, KDI kërkon që lufta kundër korrupsionit të shoqërohet me resurse të mjaftueshme financiare dhe të përmirësohet llogaridhënia dhe transparenca në sektorin publik, për të parandaluar shpërdorimin e resurseve publike dhe praktikat e nepotizmit dhe disbalancave të pushtetit./UBTNews/