Kuvendi i Kosovës në seancën e sotme pritet që, mes tjerash, të shqyrtojë në lexim të dytë Rregulloren e re të Punës së Kuvendit dhe Projektligjin për Financimin e Subjekteve Politike.
Të dyja këto akte janë shumë të rëndësishme për avancimin e standardeve demokratike të qeverisjes, duke përfshirë rritjen e transparencës dhe llogaridhënies së subjekteve politike, si dhe përmirësimin e jetës parlamentare.
Rregullorja e Punës së Kuvendit është miratuar qysh në vitin 2010, nga legjislatura e tretë. Që prej atëherë përpjekjet për ta ndryshuar atë kanë dështuar në mungesë të konsensusit politik. Draft-Rregullorja e re që pritet të miratohet në seancën e sotme, me ndryshimet e bëra, adreson në masë të madhe nevojat e tanishme të Kuvendit, duke e pëmirësuar jetën parlamentare. Megjithatë mbetet problematike mungesa e konsensusit politik të grupeve parlamentare për të vendosur rregulla më të avancuara në raport me mirëmbajtjen e punimeve të Kuvendit.
Sa i përket projektligjit për financimin e subjekteve politike, i njëjti është trajtuar prej tri legjislaturash në Kuvendin e Kosovës, por pa arritur të marrë epilogun e duhur. Ndonëse me një nguti në shqyrtimin në lexim të dytë, versioni i proceduar i projektligjit adreson kënaqshëm kërkesat e kamotshme të shoqërisë civile dhe partnerëve tjerë të Kosovës, si dhe është në përputhje me rekomandimet e dhëna nga Komisioni i Venecias në opinionin e saj të vitit 2018.
Vlen të theksohet që të dyja këto akte kanë mundur të jenë edhe më të avancuara përmbajtësisht, Megjithatë, si rezultat i kompromiseve politike mes partive parlamentare, në kuadër të Rregullores së re nuk është përfshirë sanksionimi i deputetëve që nuk marrin pjesë në seancat e Kuvendit, ndërsa në kuadër të Projektligjit për Financimin e Subjekteve Politike nuk është përfshirë raportimi dhe kontrolli financiar i shpenzimeve individuale të kandidatëve të subjekteve politike gjatë fushatave zgjedhore, por edhe disa çështje të tjera.
Sidoqoftë, duke pasur parasysh rëndësinë, nevojën dhe momentumin e përshtatshëm për miratimin, si të Rregullores ashtu edhe të Projektligjit për Financimin e Subjekteve Politike, KDI kërkon nga deputetët e Kuvendit të Kosovës që të votojnë ‘për’ këto dy pika të rendit të ditës.