UBT News

KDI: Aktgjykimi i Kushtetueses të jetë baza për hartimin e statutit të Asociacionit

Instituti Demokratik i Kosovës (KDI) e konsideron të papranueshëm çdo model të Asociacionit të prezantuar në dialog që bie në kundërshtim me Kushtetutën e vendit.

Sipas KDI-së, çdo veprim për themelimin e tij duhet të ketë për bazë aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese, si dhe zbatimin e parimit të kushtetutshmërisë.

“KDI e konsideron të papranueshëm çdo model të prezantuar në dialog që bie në kundërshtim me Kushtetutën dhe që është në shpërputhje me udhëzimet e Aktgjykimit përkatës të Gjykatës Kushtetuese. Pas propozimeve mbi draft-statutin dhe diskutimeve mbi rregullimet alternative të Asociacionit, i rikujtojmë Qeverisë së Kosovës që të gjitha veprimet për themelimin e Asociacionit duhet të kenë për bazë aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese, si dhe zbatimin e parimit të kushtetutshmërisë”, thuhet ndër të tjera në një reagim të KDI-së.

Tutje, thuhet se Instituti Demokratik i Kosovës e vlerëson si tejet të rëndësishëm gatishmërinë e palëve për të lëvizur përpara drejt normalizimit të marrëdhënieve pas dakordimit për Deklaratën për të pagjeturit.

Më 2 maj në Bruksel, Kosova dhe Serbia janë pajtuar për Deklaratën për të Zhdukurit, ku të dy vendet do të shtonin përpjekjet për zbardhjen e fatit të 1643 personave të pagjetur nga lufta e fundit.

Në po këtë takim është prezantuar edhe draft-statuti i Asociacionit të komunave me shumicë serbe nga Ekipi Menaxhues, tashmë i shkarkuar.

Kryeministri i vendit, Albin Kurti e ka konsideruar të papranueshëm draftin e prezantuar dhe ka paraqitur vizionin e tij.

Exit mobile version