UBT News

Katy Perry dhe Justin Trudeau konfirmojnë lidhjen e tyre në Paris

Këngëtarja Katy Perry dhe ish-kryeministri kanadez Justin Trudeau duket se nuk e fshehin më lidhjen e tyre. Çifti u pa për herë të parë publikisht si partnerë të shtunën, më 25 tetor, në Paris, duke konfirmuar thashethemet që qarkullonin prej muajsh.

Sipas TMZ, Perry dhe Trudeau, morën pjesë në një shfaqje kabareje në klubin “Crazy Horse” për të festuar ditëlindjen e këngëtares. Fotot e publikuara tregojnë çiftin duke dalë dorë për dore nga teatri, të buzëqeshur dhe të relaksuar.

Perry kishte zgjedhur një fustan elegant të kuq, ndërsa Trudeau u shfaq me një kostum klasik të zi, duke ruajtur një profil modest gjatë mbrëmjes në kryeqytetin francez. Thashethemet për lidhje nisën verës, kur u panë për herë të parë bashkë në Montreal, pak pas ndarjes së Perry nga aktori Orlando Bloom.

Trudeau u nda nga bashkëshortja e tij, Sophie Grégoire, më 2023, pas 18 vitesh martesë. Në shtator, ata u fotografuan sërish në një jaht pranë Santa Barbarës, duke shkëmbyer përqafime dhe puthje, një ngjarje që shtoi spekulimet për një lidhje romantike.

Burime pranë revistës People kanë zbuluar se Trudeau “është treguar i këmbëngulës” dhe se mes tyre ka “një lidhje të lehtë, të respektueshme dhe plot kimi”.

Aktualisht, Katy Perry është në mes të turneut botëror “Lifetimes Tour”, me të cilin promovon albumin e saj, 143. Turneu ka nisur në Meksiko Siti dhe ka përfshirë ndalesa në SHBA, Kanada dhe Australi, ndërsa këngëtarja vazhdon të udhëtojë për t’u takuar me fansat në mbarë botën. /A.Z/UBT News/

Exit mobile version