Katër persona janë vrarë dhe rreth 15 të tjerë janë plagosur pas tri incidenteve me armë zjarri gjatë natës në lagjen “Deep Ellum” të Dallasit, në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Sipas policisë, të shtënat ndodhën në tri lokacione të ndryshme në këtë lagje, e njohur për jetën e natës, baret, restorantet dhe ambientet me muzikë live. Në disa lokale të zonës ishin organizuar ngjarje për festën e Halloween-it.
Shefi i Policisë së Dallasit, Daniel Comeaux, deklaroi gjatë një konference për media se ende nuk dihet nëse të shtënat ndodhën brenda ndonjë biznesi apo në rrugë. Ai bëri të ditur se hetimet paraprake nuk kanë zbuluar ndonjë lidhje mes tri incidenteve.
Sipas njoftimit të policisë, të shtënat e para ndodhën rreth orës 00:20, të dytat pak pas orës 01:00, ndërsa incidenti i tretë u raportua rreth gjysmë ore më vonë.
Comeaux paralajmëroi se numri i të plagosurve mund të ndryshojë, pasi disa persona janë paraqitur vetë në institucionet shëndetësore për të marrë ndihmë mjekësore.
Disa persona janë arrestuar dhe po merren në pyetje, ndërsa policia po punon për identifikimin e autorëve dhe sqarimin e rrethanave të ngjarjeve. Megjithatë, ende nuk është konfirmuar nëse personat e arrestuar kanë lidhje me të shtënat.
Tri incidentet ndodhën brenda një distance prej rreth 800 metrash nga njëri-tjetri, në një zonë ku kishte prani të madhe të qytetarëve për shkak të aktiviteteve të Halloween-it.
Shefi i policisë bëri të ditur se numri i zyrtarëve policorë në terren ishte shtuar paraprakisht, për shkak të pritjes së turmave të mëdha gjatë festës.
/A.K/
