UBT News

Katër satelitë Starlink bien çdo ditë drejt Tokës, shkencëtarët paralajmërojnë për ndikim në atmosferë

Sipas të dhënave të fundit, deri në katër satelitë nga konstelacioni gjigant Starlink po bien në Tokë çdo ditë.

Astronomi Jonathan McDowell nga Qendra Harvard-Smithsonian për Astrofizikë në SHBA ka regjistruar një mesatare prej një deri në dy satelitësh Starlink që kanë dalë nga orbita çdo ditë gjatë vitit 2025.

Ai parashikon që ky numër të rritet në rreth pesë satelitë në ditë, teksa SpaceX vazhdon zgjerimin e rrjetit të saj të internetit satelitor.

Së fundmi, në rrjetet sociale janë shpërndarë pamje që tregojnë satelitët Starlink duke rënë drejt Tokës, gjë që ka ngritur shqetësime për sigurinë e njerëzve.

Megjithatë, këta satelitë kanë një jetëgjatësi prej pesë vjetësh dhe janë projektuar që të digjen në atmosferë para se të prekin sipërfaqen e Tokës, duke minimizuar rrezikun për njerëzit.

Pavarësisht kësaj, Dr. McDowell paralajmëron se fenomeni mund të ketë pasoja të tjera.

Shkencëtarët ende po studiojnë ndikimin e mundshëm të djegies së mijëra satelitëve në atmosferën e Tokës, pasi gjatë këtij procesi krijohen ndotës si grimcat e oksidit të aluminit, të cilat mund të kontribuojnë në ngrohjen atmosferike. /A.Z/UBT News/

Exit mobile version