Nga Ian Bremmer
Përparimet teknologjike kanë krijuar përgjatë historisë mundësi të reja për shpikje, përshtatje dhe përparim. Por ato kanë shkaktuar ndërkohë edhe dëme të pakthyeshme tek shumë jetë njerëzore por edhe mjete jetese. Nga ana tjetër kanë testuar aftësitë e jashtëzakonshme të qenieve njerëzore dhe shoqërive për t’u përshtatur me kaosin e tranzicionit, dhe për të mbijetuar ndaj asaj që ekonomistët e quajnë “shkatërrimi krijues”.
Tani bota duhet të përgatitet për një përparim teknologjik, pasojat e të cilit janë të mëdha, dhe që po shpaloset me një shpejtësi, e cila ka frikësuar edhe burrat dhe gratë që e kanë kaluar jetën e tyre duke përgatitur terrenin për këtë përmbysje. Për mirë dhe keq, Inteligjenca Artificiale do ta transformojë jetën tonë aq shumë dhe aq shpejt, saqë ne nuk kemi zgjidhje tjetër veçse të përgatitim veten dhe njëri-tjetrin për pasojat.
S’ka dyshim se do të ketë përparime mjekësore dhe shkencore. Ata që do të kenë qasje tek mjetet më të fuqishme të AI, do të kenë mundësinë të jetojmë më gjatë dhe më shëndetshëm. Por ne duhet të përgatitemi edhe për rreziqet. Katër më të rëndësishmit janë dezinformimi, përhapja, zhvendosja dhe zëvendësimi.
Dezinformimi
Pa një qasje të vazhdueshme tek informacionet e saktë dhe të verifikueshme për qytetarët, konsumatorët dhe investitorët, nuk mund të ketë demokraci apo kapitalizëm të tregut të lirë. Lindja e mediave sociale dhe e informacionit të rremë që kanë gjeneruar këto të fundit, ka helmuar tashmë qëndrimet e publikut ndaj institucioneve të të gjitha llojeve. Përfshirja e Inteligjencës Artificiale do të shtojë një kor të gjerë zërash jo njerëzorë, që janë të programuar paraprakisht mbi bisedat që formësojnë jetën politike në çdo vend të botës.
Lehtësia me të cilën aktorët politikë keqdashës, kriminelët dhe terroristët mund të krijojnë video të rreme që do të mashtrojnë edhe shikuesin më të sofistikuar, do ta bëjnë shumë më të vështirë për udhëheqësit politikë dhe ata që raportojnë lajmet që të ndërtojnë dhe mbështesin besueshmërinë.
Kina, Rusia dhe shtetet e tjera autoritare, do të zhvillojnë forma më efektive të propagandës dixhitale, të cilat do të minojnë lirinë në mënyra të thella dhe të paprecedenta, dhe do t’ia shesin këto teknologji çdo qeverie që është e gatshme të paguajë.
Përhapja
Vitet e fundit, problemi që ka sjellë teknologjia dhe që e ka shqetësuar më shumë debatin politik brenda demokracive, është mbledhja e të dhënave nga aktiviteti në internet deri tek ndikimi i tij tek privatësia. Por Inteligjenca Artificiale është një teknologji e demokratizuar.
Kompanitë e fuqishme të teknologjisë që kanë arritur të dominojnë jetën tonë në internet, mund të vendosin rregulla dhe udhëzime për përdorimin e produkteve që krijojnë. Në një farë mase, ato mund t’i zbatojnë ato rregulla. Megjithatë, modelet e AI që janë pothuajse po aq të avancuara – dhe më të fuqishme se sa algoritmet në përdorim të përgjithshëm edhe disa muaj më parë – janë tashmë të disponueshme për cilindo që ka aftësi programuese minimale dhe një kompjuter laptop.
Unë personalisht njoh disa njerëz që po përdorin që tani modelet e mëdha gjuhësore, të cilat përdorin informacione të disponueshme publikisht për të prodhuar sasi të mëdha tekstesh. Shumë shpejt miliona njerëz do të kenë GPT-në e tyre që funksionon me të dhëna në kohë reale dhe të disponueshme në internet.
Është një mjet i fuqishëm, të cilin individët mund ta përdorin për të krijuar gjëra të reja të dobishme që hapin një terren të ri shkencor dhe artistik. Por është gjithashtu një armë që mund ta përdorin aktorët politikë mashtrues, kriminelët dhe terroristët për të koduar viruset, për të krijuar armë biologjike, për të manipuluar tregjet dhe për të helmuar opinionin publik.
Është e vërtetë që autoritetet mund ta përdorin AI për të krijuar mjete më efektive për të kontrolluar këto krime. Por qeveritë nuk janë përballur kurrë me një kërcënim kaq të përhapur.
Pa një qasje të vazhdueshme në informacione të sakta dhe të verifikueshme për qytetarët, konsumatorët dhe investitorët, nuk mund të ketë demokraci apo kapitalizëm të tregut të lirë.
Zhvendosja
Ne e dimë se zhvillimi i vrullshëm i Inteligjencës Artificiale do të zhvendosë një numër të pallogaritshëm punëtorësh, pasi makinat po zëvendësojnë njerëzit, madje edhe në sektorët më të specializuar, në një shkallë të atillë, të cilën shumica prej nesh deri vonë e mendonim si të pamundur.
Është e vërtetë që këto përmbysje i kemi parë edhe më herët. Rritja e tregtisë globale dekadat e fundit, zhduku miliona vende pune në sektorin e prodhimit në vendet ku punëtorët fitonin paga relativisht më të larta, teksa fabrikat u zhvendosën në vendet në zhvillim. Më pas, automatizimi i zhvendosi më tej ato.
Në të dyja rastet ky proces gjeneroi produktivitet dhe pasuri shumë më të madhe në nivel global, duke krijuar më shumë vende pune sesa zhduku. Por duhen kohë dhe burime për të ri-trajnuar punëtorët, dhe për të krijuar mbrojtje të qëndrueshme sociale për ata që nuk mundën të përshtaten.
Dhe zhvendosja e shkaktuar nga zgjerimi i Inteligjencës Artificiale, do të godasë më shumë punëtorë në më shumë vende dhe shumë më shpejt se sa në çdo gjë e ngjashme që ka përjetuar bota më herët. Ky revolucion në vendin e punës, do të krijojë trazira ekonomike dhe politike në një shkallë për të cilën qeveritë kombëtare dhe institucionet shumëkombëshe nuk janë të përgatitura për ta menaxhuar.
Zëvendësimi
Shumë shpejt njerëzit do të mësohet më shumë me komunikimin e drejtpërdrejtë me makinat. Në vend se të rikthehemi tek robotët e thjeshtë për parashikimin e motit, do të mbështetemi tek makineritë komplekse të drejtuara nga AI për ndërveprim kompleks, dhe madje për të na bërë shoqëri.
Ne e dimë tashmë se përdorimi i tepërt i mediave sociale mund të prodhojë ankth, depresion dhe madje edhe vetëdëmtim tek adoleshentët dhe të rriturit e izoluar. Ky problem do të bëhet shumë më i madh, teksa më shumë njerëz me prirje antisociale do të ndërtojnë marrëdhënie me makineri gjithnjë e më të sofistikuara.
Kjo është sfida më e madhe e Inteligjencës Artificiale, për të cilën politikë-bërësit janë më pak të përgatitur. Asgjë nuk na ndan nga këto rreziqe, përveç pengesave teknike lehtësisht të zgjidhshme si dhe kohës. Secila prej tyre, do të duhet të adresohet brenda familjeve dhe komuniteteve, midis vendimmarrësve të sektorit publik dhe privat. Revolucioni tashmë ka filluar.
Shënim: Ian Bremmer, president i Eurasia Group dhe GZERO Media, dhe autor i librit “Fuqia e krizave”. / Në shqip nga bota.al