Policia e Kosovës ka raportuar për katër raste të dhunës në familje në Prishtinë, Lipjan, Fushë Kosovë dhe Gjilan.
Në Prishtinë, një grua ka raportuar se ishte kanosur nga një burrë. I dyshuari është intervistuar më 18 nëntor dhe, me vendim të prokurorit, rasti do të trajtohet në procedurë të rregullt, ndërsa ai do të vazhdojë të hetohet në gjendje të lirë.
Në Lipjan, një grua ka njoftuar policinë se ishte sulmuar nga një grua tjetër. Pas intervistimit të palëve, me vendim të prokurorit, rasti është dërguar në procedurë të rregullt.
Ndërkaq, në Fushë Kosovë, një burrë dyshohet se ka ushtruar dhunë ndaj disa viktimave. Nuk raportohet për persona të lënduar, ndërsa rasti po trajtohet nga ekipet përkatëse policore.
Një rast tjetër është raportuar në Gjilan, ku një burrë është arrestuar më 18 nëntor, nën dyshimin se kishte kanosur një burrë tjetër. Viktima ka pranuar trajtim mjekësor, ndërsa i dyshuari, me vendim të prokurorit, është dërguar në mbajtje.
/A.K/
