Katër raste të dhunës në familje janë raportuar gjatë 21 majit në Graçanicë, Prishtinë, Kllokot dhe Gjakovë, duke përfshirë arrestime, lëndime trupore dhe hetime policore.
Sipas raportit të policisë, në Graçanicë një femër është raportuar se për shkak të problemeve shëndetësore dhe gjendjes psikike ka shfaqur sjellje agresive dhe ka kanosur anëtarët e familjes në mënyrë të përsëritur. Ajo është shoqëruar në stacion policor, është intervistuar në prani të avokatit dhe më pas është liruar në procedurë të rregullt, ndërsa me rekomandim të prokurorit pritet t’i nënshtrohet një kontrolli më të detajuar mjekësor.
Në Prishtinë, një femër është sulmuar fizikisht nga bashkëshorti i saj, i cili më pas është larguar nga vendi i ngjarjes. Viktima ka marrë trajtim mjekësor, ndërsa policia po heton rastin në konsultim me prokurorin.
Ndërsa në Kllokot, sipas raportit të policisë, është arrestuar një i dyshuar mashkull kosovar, i cili dyshohet se ka ushtruar dhunë fizike ndaj babait të tij, duke i shkaktuar lëndime trupore. Viktima ka marrë trajtim mjekësor, ndërsa i dyshuari, me vendim të prokurorit, është dërguar në mbajtje për 48 orë.
Ndërkohë, në Gjakovë, janë arrestuar dy vëllezër të dyshuar për përfshirje në një rast dhune në familje. Njëri prej tyre është dërguar në mbajtje, ndërsa tjetri është liruar në procedurë të rregullt.
