Sipas raportit të Policisë së Kosovës, katër raste të dhunës në familje janë raportuar më 18 gusht në Gllogoc, Fushë Kosovë, Leposaviq dhe Mitrovicë të Jugut.
Në Gllogoc, sipas Policisë, një grua dyshohet se është sulmuar fizikisht nga bashkëshorti i saj. Viktima ka pranuar tretman mjekësor, ndërsa pas inicimit të rastit, ajo së bashku me fëmijët është dërguar në strehimore. I dyshuari është liruar në procedurë të rregullt.
Në Fushë Kosovë, Policia ka raportuar se një grua dyshohet se në vazhdimësi ka përjetuar dhunë fizike dhe psikike nga bashkëshorti i saj. I dyshuari është arrestuar dhe, me vendim të prokurorit, është dërguar në mbajtje.
Në fshatin Belucë të Leposaviqit, sipas raportit policor, një person dyshohet se ka shfaqur sjellje agresive dhe ka demoluar disa gjësende në shtëpi. Policia ka bërë të ditur se dyshohet se ai ka probleme të shëndetit mendor dhe është dërguar për trajtim në Spitalin e Mitrovicës. Rasti është iniciuar në konsultim me prokurorin.
Ndërsa në Mitrovicë të Jugut, Policia ka raportuar se një grua dyshohet se është sulmuar fizikisht nga djali i saj. I dyshuari është arrestuar dhe, me vendim të prokurorit, është dërguar në mbajtje./A.K/
