Katër raste të dhunës në familje dhe kanosjes janë raportuar më 14 tetor në Prishtinë, Pejë dhe Malishevë, sipas raportit të Policisë së Kosovës.
Në Prishtinë, një grua ka raportuar se është kanosur nga i dashuri i saj. I dyshuari është arrestuar dhe, me vendim të prokurorit, është dërguar në mbajtje.
Në një rast tjetër në Prishtinë, një burrë dhe një grua, bashkëshortë, janë shoqëruar në stacion policor pasi dyshohet se janë përleshur fizikisht pas një mosmarrëveshjeje. Nuk janë raportuar të lënduar, ndërsa të dy janë liruar me vendim të prokurorit dhe rasti do të vazhdojë në procedurë të rregullt.
Ndërkohë, në Pejë është raportuar një mosmarrëveshje mes dy kunatave. Palët janë shoqëruar në stacion policor, ndërsa e dyshuara është liruar në procedurë të rregullt. Viktima, me dëshirën e saj, ka shkuar te familja.
Një rast tjetër është raportuar në Malishevë, ku një burrë dyshohet se ka ushtruar dhunë psikike ndaj bashkëshortes dhe ka shkelur urdhrin mbrojtës. Me vendim të prokurorit, ai është dërguar në mbajtje./A.K/
