Policia e Kosovës ka raportuar katër raste të dhunës në familje të regjistruara gjatë 23 korrikut në Prishtinë, Pejë dhe Mitrovicën e Jugut.
Në Prishtinë janë evidentuar dy raste. Në rastin e parë, një burrë u shoqërua në stacionin policor nën dyshimin se kishte sulmuar fizikisht një grua dhe kishte dëmtuar disa gjësende në një lokal. Ndërsa në rastin e dytë, dy burra u arrestuan pasi dyshohet se ishin përfshirë në një përleshje fizike me njëri-tjetrin. Në të dyja rastet, pas intervistimit dhe me vendim të prokurorit, palët janë liruar, ndërsa rastet janë proceduar në procedurë të rregullt.
Në Pejë, policia arrestoi një grua të dyshuar se kishte ushtruar dhunë fizike ndaj një gruaje tjetër. Viktimës i është ofruar trajtim mjekësor, ndërsa pas intervistimit të palëve dhe në konsultim me prokurorin, e dyshuara është liruar dhe rasti vazhdon në procedurë të rregullt.
Ndërkaq, në Mitrovicën e Jugut është arrestuar një burrë nën dyshimin se kishte ushtruar dhunë psikike ndaj një burri. Edhe në këtë rast, pas intervistimit dhe me vendim të prokurorit, palët janë liruar, ndërsa rasti do të trajtohet në procedurë të rregullt.
Policia e Kosovës njoftoi se të gjitha rastet janë duke u hetuar në koordinim me prokuroritë kompetente.
D.L
