Disa raste të ndara të dhunës në familje janë raportuar në Prishtinë, Malishevë dhe Deçan, sipas raportit 24-orësh të Policisë se Kosovës.
Në një rast në Prishtinë, një grua dyshohet se është sulmuar nga vëllai i saj pas një mosmarrëveshjeje familjare. Viktima ka pranuar tretman mjekësor, ndërsa i dyshuari nuk është hasur nga policia dhe gjendet në arrati.
Po ashtu në një rast tjetër në Prishtinë, pas një konflikti familjar janë përfshirë në rrahje një motër dhe vëlla. Të dy kanë pranuar tretman mjekësor, ndërsa pas intervistimit, me urdhër të prokurorit, janë liruar në procedurë të rregullt hetimore.
Në fshatin Llashkadrenoc të Malishevës, është arrestuar një grua e dyshuar për dhunë në familje dhe, me vendim të prokurorit, është dërguar në mbajtje.
Ndërkaq, në Deçan, një burrë ka raportuar se ndihet i shqetësuar dhe i kanosur nga djali i tij i mitur, pas një seance në prokurori. I dyshuari është arrestuar dhe me vendim të prokurorit është dërguar në mbajtje për 24 orë.
