UBT News

Katër raste të dhunës në familje brenda 24 orëve në Kosovë

Në raportin 24-orësh të Policisë së Kosovës janë raportuar katër raste të dhunës në familje. Rastet e regjistruara kanë ndodhur në Prishtinë, Pejë, Gjakovë dhe i fundit në Zubin Potok.

Në Prishtinë raportohet se një person është shoqëruar në polici, pasi i njëjti dyshohet se ka ushtruar dhunë ndaj viktimës grua. Me vendim të prokurorit, pas intervistimit të palëve, rasti ka vazhduar të trajtohet në procedurë të rregullt (gjendje të lirë).

Ndërsa në Pejë, një person është në kërkim nga policia pasi dyshohet se ka sulmuar një burrë. “Viktima ka pranuar trajtim mjekësor, ndërsa i dyshuari gjendet në kërkim policor. Lidhur me rastin është njoftuar prokurori, i cili ka urdhëruar fillimin e hetimeve”, thuhet në raport.

Në Gjakovë është arrestuar një burrë nën dyshimin se, pas një mosmarrëveshjeje, ka sulmuar një person tjetër. Viktima ka pranuar trajtim mjekësor, ndërsa rasti po hetohet me urdhër të prokurorit të shtetit.

Rasti i fundit është regjistruar në Zubin Potok, ku është arrestuar një person pasi dyshohet se ka ushtruar dhunë ndaj një gruaje. Sipas policisë, viktima ka pranuar trajtim mjekësor, ndërsa i dyshuari, me vendim të prokurorit, është dërguar në mbajtje.

 

Exit mobile version