Katër raste të lidhura me posedim të paautorizuar të substancave narkotike janë raportuar më 9 dhe 10 shtator në Prishtinë, sipas raportit të Policisë së Kosovës.
Në rrugën “Abdyl Frashëri”, gjatë kontrollit të dy personave që ndodheshin në një motoçikletë, policia ka gjetur dhe konfiskuar 11.99 gramë marihuanë, 0.93 gramë kokainë dhe një telefon. Pas intervistimit, njëri nga të dyshuarit është arrestuar dhe dërguar në mbajtje me vendim të prokurorit.
Në rrugën “Hekurudha”, gjatë kontrollit të një personi dhe automjetit të tij, janë gjetur 52.29 gramë marihuanë. I dyshuari është intervistuar dhe më pas është liruar në procedurë të rregullt.
Ndërkaq, në rrugën “Ramë Govori”, gjatë kontrollit në shtëpinë e një të dyshuari, policia ka konfiskuar 19 fishekë, substancë të dyshuar narkotike të llojit marihuanë, tri peshore digjitale, një telefon, para të gatshme dhe një pako me qese të vogla të zbrazura. Sipas raportit policor, sasia e marihuanës është raportuar në 252 gramë. I dyshuari është liruar në procedurë të rregullt me vendim të prokurorit.
Në rrugën “Holger Petersen”, gjatë kontrollit në shtëpinë e një shtetasi të huaj, është gjetur dhe konfiskuar 3.95 gramë marihuanë. I dyshuari është arrestuar dhe është dërguar në mbajtje me vendim të prokurorit.
Rastet janë duke u trajtuar nga organet kompetente./A.K/
