Katër kompani private energjetike: “Abrazen LLC”, “Energy Development GroupKosovaLLC”, “Alsi & Co. Kosovë LLC” dhe “Building Construction LLC”, kanë fituar një betejë gjyqësore në Gjykatën Kushtetuese ndaj ish-deputetit të Lëvizjes Vetëvendosje, Sami Kurteshit.
Kurteshi kishte paditur ZRrE-në për caktimin e tarifave nxitëse prej 85.5 euro edhe për 20 megavatë solare që do të përfitonin tetë kompani.
Tarifat e vendosura më 2019 nga Zyra e Rregullatorit të Energjisë, u pezulluan nga Gjykata Themelore në Prishtinë, bazuar në një ankesë të parashtruar nga Sami Kurteshi i LVV-së. Por pas ankesës së parashtruar nga katër kompanitë energjetike: “Abrazen LLC”, “Energy Development GroupKosovaLLC”, “Alsi & Co. Kosovë LLC” dhe “Building Construction LLC”, Gjykata Kushtetuese ka “rrëzuar” aktgjykimet e shkallëve paraprake të gjykatave dhe e ka kthyer lëndën në rishqyrtim.
“Përfundimisht, bazuar edhe në sqarimet e dhëna në Aktgjykimin e publikuar, Gjykata konstatoi se, vendimet e gjykatave të rregullta, janë nxjerrë në kundërshtim me garancitë procedurale të përcaktuara me nenin 31 të Kushtetutës në lidhje me nenin 6 të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, për shkak të mungesës së vendimit të arsyetuar gjyqësor, duke e kthyer çështjen për rishqyrtim në Gjykatën Themelore”, thuhet në vendimin e Gjykatës Kushtetuese.