Aktorja e njohur Kate Winslet ka shprehur shqetësim për rritjen e përdorimit të kirurgjisë estetike dhe injeksioneve për humbje peshe, duke e quajtur këtë tendencë “të frikshme”.
Ylli i filmit Titanic tha se obsesioni me përsosmërinë e kërkimi i vëmendjes në rrjetet sociale po rrezikon shëndetin e vetëbesimin e njerëzve.
“Është shkatërruese kur vetëbesimi i dikujt varet kaq shumë nga pamja e jashtme,” u shpreh Winslet për The Times.
Ajo theksoi kontrastin mes atyre që zgjedhin të jenë vetvetja dhe atyre që bëjnë gjithçka për të mos qenë vetvetja, duke rrezikuar shëndetin.
Winslet lavdëroi koleget e saj, si Helen Mirren, Toni Collette, Andrea Riseborough dhe Sigourney Weaver, për ruajtjen e bukurisë “reale”. Ajo beson se rrudhat dhe njollat e moshës tregojnë historinë e jetës dhe i japin bukuri një gruaje.
“Gjërat e mia të preferuara janë duart e plakura. Aty është jeta,” tha, duke shtuar se disa nga gratë më të bukura që njeh janë mbi 70 vjeç.
Winslet u shpreh se ajo që e trishton është se gratë e reja shpesh nuk kuptojnë se çfarë do të thotë të jesh vërtet e bukur. /A.Z/UBT News/
