Stefanos Kasselakis nuk është më president i SYRIZA-s, partisë kryesore të opozitës në Greqi, pasi shumica e anëtarëve të Komitetit Qendror votuan në favor të një mocioni mosbesimi kundër tij. Nga 295 anëtarë të Komitetit Qendror, 286 morën pjesë në votim, ku mocioni i censurës kaloi me 163 vota pro dhe 120 kundër. Pati gjithashtu dy abstenime dhe një votë të pavlefshme.
Në reagimin e tij ndaj rezultatit, Kasselakis shprehu ndjenjën e tij të “çlirimit,” duke theksuar se ndihej i lirë nga censura që kishte përjetuar që nga ditën e parë të zgjedhjes së tij si president. Ai akuzoi fraksione të ndryshme brenda partisë dhe elitës së SYRIZA-s për refuzimin e votës së anëtarëve dhe për përdorimin e praktikave që, sipas tij, nuk janë në përputhje me traditat e së majtës.
Pas këtij vendimi, do të nisin procedurat për zgjedhjen e një kreu të ri për SYRIZA-n. Nikos Pappas do të përfaqësojë përkohësisht partinë. Komiteti Qendror vendosi që Sekretariati Politik i SYRIZA-s të mblidhet brenda dy ditëve për të vendosur datën e mbledhjes së re të Komitetit Qendror brenda 15 ditëve, i cili më pas do të caktojë një datë për mbajtjen e një Kongresi të Jashtëzakonshëm të Partisë.
Ndër kandidaturat kryesore për drejtimin e partisë është Pavlos Polakis./UBTNews/