UBT News

Kaseta e intervistës së vitit 2008 do të përdoret si provë në gjyqin për vrasjen e Tupac Shakur

Një gjykatëse në Nevada ka vendosur se një regjistrim i një interviste policore të vitit 2008 me Duane “Keffe D” Davis mund të përdoret si provë në gjyqin e ardhshëm për vrasjen e reperit të njohur Tupac Shakur.

Gjyqtarja Carli Kierny e ka pranuar si dëshmi regjistrimin e intervistës, ndërsa procesi gjyqësor ndaj Davis, 63-vjeçarit të akuzuar për vrasjen e Shakur, pritet të nisë më 10 gusht në Las Vegas dhe të zgjasë rreth katër javë.

Prokuroria ka argumentuar se nuk ekziston bazë ligjore për përjashtimin e kësaj interviste nga provat e gjyqit. Ndërkaq, mbrojtja ka pretenduar se intervista duhej të mbetej konfidenciale, duke thënë se hetuesit e kishin siguruar Davis se deklaratat e tij nuk do të përdoreshin kundër tij.

Rasti i vrasjes së Tupac Shakur mbeti për shumë vite një nga misteret më të mëdha kriminale në Shtetet e Bashkuara. Hetimi mori hov sërish pasi Davis foli publikisht për ngjarjen, përfshirë edhe në një libër ku ai pretendoi se ishte në automjetin nga i cili u sigurua arma e përdorur në sulm.

Tupac Shakur u qëllua më 7 shtator 1996 në Las Vegas, ndërsa ndodhej në një veturë pranë themeluesit të “Death Row Records”, Marion “Suge” Knight. Një Cadillac i bardhë u afrua pranë tyre dhe nga automjeti u hap zjarr.

Shakur u plagos rëndë dhe vdiq gjashtë ditë më vonë, ndërsa Knight pësoi lëndime më të lehta. Rasti për vite me radhë u konsiderua një nga vrasjet më të famshme të pazgjidhura në historinë e muzikës hip-hop./A.K/

Exit mobile version