Është nënshkruar marrëveshja mes Fondit Kosovar për Garanci Kreditore (FKGK) dhe Bankës Gjermane për Zhvillim (KfW), e cila synon mbështetjen e ndërmarrjeve në vend. Ndërsa, Kosova do të përfitojë dukshëm nga kjo iniciative, duke marrë 22.1 milionë euro, ose 45 për qind nga 50 milionë euro gjithsej.
Po ashtu me këtë projekt që ka prioritet krijimin e së paku katër mijë vendeve të reja të punës, do të forcohet edhe ndërmarrësia dhe qëndrueshmëria e ndërmarrjeve mikro, të vogla dhe të mesme.
Ministri i Financave, Hekuran Murati ka thënë se kjo marrëveshje theks të veçantë ka mbështetjen e ndërmarrjeve në Kosovë. Derisa ka shtuar se parashihet që së paku 4 mijë vende të reja të punës të krijohen nga kjo marrëveshje.
“Theks të veçantë ka mbështetjen e ndërmarrjeve në Kosovë… Marrëveshja që do të nënshkruhet sot do të prioterizon krijimin e vendeve të reja të punës, dhe parashihet që së paku 4 mijë vende të reja të punës të krijohen nga kjo marrëveshje…Do të mundësoje reduktimin e kostove dhe rritjen e qasjes me shumë bizneseve në këto kredi dhe të rritet edhe më tej ekonomia, punësimi dhe mirëqenia”, tha Murati.
Drejtori menaxhues i Fondit Kosovar për Garanci Kreditore, Besnik Berisha derisa ka theksuar rëndësinë e këtij projekti, ka thënë se Kosova do të përfitojë dukshëm nga kjo iniciative, duke marrë 22.1 milionë euro.
“Projekti synon të forcojë ndërmarrësinë dhe qëndrueshmërinë e ndërmarrjeve mikro, të vogla dhe të mesme në gjithë Ballkanin Perëndimor me një shumë totale prej 50 milionë euro, që dedikohen për gjithë rajonin. Kosova do të përfitojë dukshëm nga kjo iniciative, duke marrë 22.1 milion euro, ose 45 për qind nga 50 milionë euro gjithsej, nga Fondet e Rigarancisë që ndahen për rajonin”, tha Berisha.
Zëvendësguvernatori i BQK-së, Milot Cakaj vlerëson se nënshkrimi i kësaj marrëveshje shënon hap të rëndësishëm drejt përmirësimit të qasjes në financa për sektorin e ndërmarrjeve mikro, të vogla dhe të mesme si dhe për ekonominë në tërësi.
“Nënshkrimi i kësaj marrëveshje shënon hap të rëndësishëm drejt përmirësimit të qasjes në financa për sektorin e ndërmarrjeve mikro, të vogla dhe të mesme si dhe për ekonominë në tërësi. Këto ndërmarrje janë pjesë qenësore e ekonomisë sonë. Mbështetja e tyre ka ndikim të madh si në zhvillimin ekonomik edhe në qëndrueshmërinë e sektorit financiar. Jemi të bindur se projekte dhe marrëveshje si kjo do të rrisin mundësinë për financimin dhe do të kontribuojnë në krijimin e një sistemi financiar të qëndrueshëm”,ka thënë Cakaj.
Kryesuesi i njësisë për bashkëpunim EU në Kosovë, Johannes Stenbaek Madsen ka nënvizuar se përmes këtyre nismave synojmë të ndihmojmë ekonomive të gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor, në mënyrë që ato të përgatiten për integrim në BE.
“Nëpërmjet këtyre nismave synojmë të ndihmojmë ekonomive të gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor, në mënyrë që ato të përgatiten për integrim në BE. Kjo do të reduktojë boshllëkun social dhe ekonomik ndërmjet vendeve që synojnë të jenë pjesë e BE-së dhe vet BE-së”, tha ai.
Në anën tjetër drejtori i KfË për Evropën Juglindore, Klaus Muller është shprehur i lumtur që janë pjesë e këtij rrëfimi që nga fillimi.
“Me këtë hap po bëhet FKGK-ja bëhet pjesë e familjes evropiane…Jemi të lumtur që jemi pjesë e këtij rrëfimi që nga fillimi”,tha ai.
Gjatë ditës Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve përmes një ceremonie ka nënshkruar marrëveshjen në vlerë mbi 12 milionë euro me Bankën Gjermane për Zhvillim (KfË) dhe Kompaninë për Menaxhimin e Deponive të Kosovës (KMDK), për çka synohet përmirësimi i menaxhimit të mbeturinave në Prishtinë, Prizren dhe Gjilan.