Shumica e mjekëve dhe profesorëve i janë përgjigjur pozitivisht obligimit ligjor për deklarimin e pasurisë në Agjencinë për Parandalimin e Korrupsionit. Kështu thotë drejtori i AKK-së, Yll Buleshkaj derisa potencon se rreth 2 mijë e 100 mjekë dhe profesorë kanë deklaruar pasurinë e tyre brenda periudhës së rregullt kohore, e cila filloi me 12 shkurt dhe përfundoi dje me 12 mars.
Buleshkaj tregon se vetëm 90 persona nga këto dy kategori nuk kanë bërë ende deklarimin e pasurisë. Ai shton se pas përfundimit të pastrimit të listës, janë të obliguar të shqiptojnë një gjobë prej 30 për qind të pagës së tyre mujore për secilin që është vonuar.
Përveç kësaj, ai tregon se të njëjtëve u jepet një afat shtesë prej 15 ditëve për ta kryer këtë obligim dhe nëse nuk e bëjnë, Agjencia për Parandalimin e Korrupsionit në mënyrë automatike do të përgatisë kallëzime penale dhe do t’i dërgojë ato në prokurorinë e shtetit.
Ndërkaq, është raportuar në media se mbi 300 mjekë kanë nënshkruar një peticion dhe e kanë dërguar tek Institucioni i Avokatit të Popullit për të kundërshtuar vendimin për deklarimin e pasurisë në Agjencinë Kundër Korrupsion.
Lidhur me këtë, drejtori i AKK-së, Yll Buleshkaj thotë se është e drejtë e secilit që të dërgojë raste tek Avokati i Popullit, porse sipas tij deklarimi i pasurisë nuk shkel të drejtë të njeriut, sepse nuk është në kundërshtim me parimet bazë të njeriut.
“Është e drejtë e secilit që të dërgojë raste tek Avokati i Popullit. Avokati i Popullit merret me raste të cilët i shkelin të drejtat e njeriut. Po besoj që deklarimi i pasurisë nuk shkel të drejtë të njeriut, sepse nuk është në kundërshtim me parimet bazë të njeriut. Ka plotë kategori të cilët edhe paguhen më pak se mjekët dhe profesorët, e të cilët janë të obliguar ta bëjnë deklarimin e pasurisë dhe marrin më pak nga paraja publike sesa këto kategori”, potencon Buleshkaj.
Ndërkaq, më 1 mars ka filluar edhe deklarimi i rregullt i pasurisë për të gjithë zyrtarët publikë që e kanë kryer këtë obligim edhe vitin e kaluar.
Buleshkaj thekson se nga 10 mijë zyrtarë publikë që janë të obliguar ta deklarojnë pasurinë, deri më tani mbi 1 mijë të tillë i janë përgjigjur pozitivisht thirrjes.
“Më 1 mars ka filluar deklarimi i rregullt i pasurisë për të gjithë zyrtarët publikë që e kanë kryer këtë deklarim edhe vitin e kaluar, për periudhë nga fillimi nga 1 janari i viti 2023 deri në fund të viti 2023. I kemi rreth 1 mijë të cilët e kanë kryer në javët e para deklarimin e pasurisë, sepse historikisht ka qenë që në javën e fundit ka qenë grupi më i madh i deklarimit. Kemi një trend më pozitiv, ndoshta edhe pse është shumë më lehtë për ata që e kanë deklaruar më herët”, deklaroi ai tutje.
Mbi 2 mijë mjekë dhe profesorë në Kosovë për herë të parë kanë qenë të obliguar që ta deklarojnë pasurinë e tyre në Agjencinë për Parandalimin e Korrupsionit. Brenda afatit një mujor, i cili ka përfundua dje më 12 mars, 1500 mjekë nga spitalet rajonale dhe të Qendrës Klinike Universitare të Kosovës (QKUK), duke përfshirë edhe 800 profesorë nga shtatë universitetet publike, kanë qenë të detyruar ta kryejnë këtë obligim ligjor.